Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar sërish mëngjesin e sotëm me tone të ashpra. Në një postim në rrjetet sociale, Meta publikoi raportin e fundit të fondacionit botëror “Heritage”. Sipas këtij raporti, Shqipëria ka rënë 9 vende më poshtë në renditjen për lirinë ekonomike.
“Kjo rrëshqitje e frikshme në pikiadë e lirisë ekonomike, është pasojë e drejtpërdrejtë e cënimit brutal të të drejtave të pronësisë dhe mosfunksionimit të sistemit gjyqësor.”, shkruan Meta.
Meta shkruan se kjo rënie ka lidhje të drejtpërdrejtë me cenimin brutal të të drejtave të pronësisë dhe mos funksionimit të sistemit gjyqësor. Ai shton se faktet që përciell ky raport vërtetojnë qëndrimet e tij të vazhdueshme publike në mbrojtje të konkurencës së lirë.
Reagimi i plotë:
Shqipëria, sipas raportit të fondacionit prestigjoz botëror “Heritage”, ka rënë nëntë vende më poshtë në renditjen për lirinë ekonomike, krahasuar me një vit më parë.
Kjo rrëshqitje e frikshme në pikiadë e lirisë ekonomike, është pasojë e drejtpërdrejtë e cenimit brutal të të drejtave të pronësisë dhe mosfunksionimit të sistemit gjyqësor.
Ky raport thellësisht negativ konfirmon qëndrimet e vazhdueshme publike, që kam shprehur edhe me dekrete, në mbrojtje të konkurrencës së lirë.
Ndaj është urgjente çkapja e shtetit, Kuvendit, Qeverisë dhe e pushtetit gjyqësor nga oligarkët dhe interesat okulte.
Referendumi i 25 prillit është një mundësi historike për të nxjerrë nga “intubimi” edhe lirinë ekonomike, krahas të gjitha lirive të tjera, që gëzojnë qytetarët në një vend plotësisht europian.