Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit në Kosovë.
Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.95 për qind, Partia Demokratike me 16.9 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.64 për qind dhe dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.07 për qind.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në konferencën për media tha se pjesëmarrja e qytetarëve në këto zgjedhje ka qenë 48.78% nga 1 milionë e 851 mijë e 927 qytetarë me të drejtë vote.
“Numri i votuesve që kanë votuar brenda vendvotimeve ka qenë 814 mijë e 122 votues, numri i votuesve të cilët kanë votuar jashtë vendvotimit me kusht dhe me postë ka qenë 89 mijë e 257”, tha Daka.
Daka shtoi se LVV do t’i ketë 58 deputetë, PDK do t’i ketë 19 deputetë, LDK do t’i ketë 15 deputetë, AAK do t’i ketë 8 dhe Lista Serbe 10 deputetë.
Të dhënat e detajuara mund t’i shihni në tabelat e mëposhtme.
Kujtojmë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit kanë votuar rreth 834 mijë qytetarë me të drejtë vote ose thënë ndryshe kanë votuar 46.98%.
Lista zgjedhore përmbante rreth 1.8 milionë votues, rreth 143 mijë më pak se në zgjedhjet e tetorit të 2019. Në krahasim me zgjedhjet e tetorit 2019, pjesëmarrja është pak më e lartë pasi dy vite më parë votuan 44.72%.
Këto janë zgjedhjet e teta parlamentare që prej vitit 1999 që mbahen në Kosovë, ndërsa ka nisur procesi i numërimit të votave, të gjitha Exit Poll-et parashikojnë një fitore bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje.