Skip to content
Aktualitet

Zi për bluzat e bardha, humb jetën nga COVID-19 mjeku nga Berati

· 2 min lexim

Mjeku i njohur beratas Gëzim Lamaj është ndarë nga jeta pasi nuk e ka fituar dot betejën me Covid-19.

Mjeku ishte i shtruar prej ditësh në spitalin infektiv në Tiranë ku nuk e ka mposhtur dot virusin COVID-19. Mjeku Lamaj punonte prej vitesh në spitalin rajonal të Beratit si ekografist dhe radioskopi.

Lajmin e trishtë e konfirmon dhe deputeti socialist i Beratit Fadil Nasufi, i cili shkruan se mjeku Lamaj ishte humanist i rrallë, model i mirësisë dhe i përkushtimit ndaj qytetarëve të Beratit.

“Berati zgjohet sot me një lajm trishtues dhe tepër tronditës!

Ndahet nga jeta pas një beteje me Covid -19 Dr Gëzim Lamaj, Mjek radiolog!Njeri i mrekullueshëm, humanist i rrallë si ai, gojëmbel, fytyrëqeshur, model i mirësisë dhe i përkushtimit ndaj qytetarëve të Beratit!

Na janë shteruar fjalët nga helmi i përditshëm i vdekjes!

Ndarja nga jeta e Dr Gëzimit, pikëllon gjithë qytetarët beratas dhe bluzat e bardha. Është hidhërim i pa ngushëllueshëm, por edhe apel për kujdes nga ky virus vrastar!

Ngushëllime Dr Anilës për humbjen e bashkëshortit dhe djalit Renatos për humbjen e babait! Të prehet në paqe Dr Gëzim Lamaj! Lamtumirë Mik i cmuar”, shkruan Nasufi.

Kujtojmë se numri i rasteve pozitive me koronavirus në vendin tonë ka qenë 986 në 24 orët e fundit. Ndërkohë, janë regjistruar 21 viktima.