Babai i portierit të Liverpool, Alisson Becker ka vdekur pasi trupi i tij u gjet në një liqen pranë shtëpisë së familjes. Policia lokale i ka thënë medias braziliane se Jose Agostinho Becker, 57 vjeç, besohet të jetë mbytur pasi u zhduk pranë një dige.
Jose mendohet se ka shkuar për të notuar pranë pronës së tij në Lavras do Sul, në Brazilin jugor. Pasi u shpall i zhdukur, një mik i tij dhe një punonjës i pasurisë familjare zbuluan trupin të mërkurën në mbrëmje. Policia mbërriti në vendngjarje dhe vdekja e tij po trajtohet si një aksident. Ashtu si dy djemtë e tij, Alisson i Liverpool, 28 vjeç dhe Muriel i Fluminense, 34, Jose ishte një portier.
Alisson iu bashkua Liverpoolit nga Roma më 2018 dhe u zgjodh portieri më i mirë i FIFA-s në vitin 2019. Vëllai i tij i vogël, Muriel, është portier në klubin Fluminense. Becker kishte ndikim të fortë në Alissonin dhe Murielin derisa ata po rriteshin dhe po e ndiqnin ëndrrën për t’u bërë portierë.
Ai ishte portier amator në qytetin Rio Grande do Sul kur dy fëmijët e tij ishin të rinj. Klubi profesional brazilian Internacional, për të cilin kanë luajtur të dy vëllezërit, shprehu ngushëllime për vdekjen e Becker.
“Lajmin për vdekjen e Jose Agostinho Becker, babai i ish-portierëve tanë Alisson dhe Muriel, e morëm me pikëllim shumë të madh”, shkroi Internacional.