Skip to content
Të Gjitha

Histori dhe tragjedi/ Elton Debreshi regjistrohet në KQZ, një minator humb jetën në Bulqizë

· 2 min lexim

Elton Debreshi ka regjistruar sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kandidaturën si deputet i pavarur për qarkun e Dibrës. Ai arriti të mblidhte më shumë se 1350 nënshkrime nga qytetarët e Dibrës për të hedhur kandidaturën. Por, ndërsa Debreshi bëhej i pari minatory që kandidon si i pavarur në Shqipëri, në Bulqizë ka ndodhur tragjedia e radhës. Një minator ka humbur jetën pasi u godit nga një masiv gurësh. Lajmin e njofton Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës që ka bërë me dije se minator që ka humbur jetën është Fiqiri Karaj, 49 vjeç dhe baba i 4 fëmijëve. SMBB kërkon nga institucionet që të punojnë për të zbardhur ngjarjen.

Njoftimi i Sindikatës:

NGA DITË HISTORIKE, NË DITËN TRAGJIKE TË RADHËS

Dita e sotme do të duhej të ishte një ditë historike për minatorët, Bulqizën dhe të gjithë komunitetin e Dibrës. Sot, pas një angazhimi disajavor, dorëzuam në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mbi 1350 nënshkrime për regjistrimin e Elton Debreshit si kandidat i pavarur për deputet.

Me keqardhje dhe dhimbje të thellë, gjatë dorëzimit të dokumentacionit, u informuam për vdekjen e minatorit Fiqiri Karaj, shokut dhe vëllait tonë, në minierat e Zonës D në Bulqizë.

Fiqiriu ishte 49 vjeç dhe baba i 4 fëmijëve. Ai ka qenë mbështetës dhe nënshkrues i peticionit për Statusin e Minatorit, si dhe për kandidaturën e pavarur të mbështetur nga sindikata. Kjo vdekje e radhës në galeritë e zeza të minierave është pasojë e kushteve të vështira që përballen minatorët çdo ditë.

Përballja e përditshme me vdekjen na tregon për nevojën urgjente të miratimit të Statusit të Minatorit. Kjo na bën të jemi gjithnjë e më të vendosur për të çuar përpara nismën tonë !

Shprehim ngushëllimet e sinqerta për familjen dhe të afërmit e Fiqiriut!

U kërkojmë institucioneve dhe autoriteteve përkatëse të zbardhin ngjarjen. Për Fiqiriun dhe çdo minator tjetër duhet drejtësi!