Policia ka zbardhur sot emrat e katër personave të cilët akuzohen se kanë vrarë Shkëlzen Kastratin në Fier.
Bëhet me dije se persoant në fjalë janë shtetasit Albert Zaja, 37 vjeç, Emir Tufa, 29 vjeç, banues në Fushë-Krujë, Elson xhecuka, 27 vjeç banues në Kamëz dhe Silvio Alias, Roland Cara 39 vjeç banues në Tiranë.
Sipas policisë, të dyshuarit mendohet se janë larguar drejt një vendi të Bashkimit Evropian, ndaj po punon për kapjen e tyre.
Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dy automjetet që kanë përdorur autorët për t’u larguar nga vendngjarja.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Fier, në koordinimin nga Departamenti i Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, si rezultat i provave të grumbulluara gjatë hetimeve, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.
Mbi bazën e provave të grumbulluara nga strukturat hetimore të DVP Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka vendosur në mungesë masën “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim, për shtetasit:
- A. Z., 37 vjeç dhe E. T., 29 vjeç, të dy banues Fushë Krujë;
- E. Xh., 27 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë;
- S. alias R. C., 39 vjeç, banues në Tiranë.
Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, nga ana e Policisë është ushtruar kontroll në banesat e këtyre shtetaseve. Në përfundim të veprimeve është bërë shpallja e tyre në kërkim kombëtar dhe vijon puna edhe për shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë veprimeve hetimore, strukturat e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe dy automjetet që janë përdorur nga autorët për të kryer vrasjen dhe për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Vijon puna për lokalizimin e tyre dhe po bashkëpunohet me homologët, pasi dyshohet se mund të jenë larguar drejt një vendi të BE-së.
Gjithashtu, nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore nga strukturat e Policisë, për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje kriminale.