Kryeministri Edi Rama është pritur sot me protesta në Shkodër. Por para mbërritjes së tij në qytetin verior disa banorë të zonave të përmbytura të Nënshkodrës kanë dalë në protestë.
Mësohet se protestuesit janë të shpërndarë, me qëllim respektimin e masave antiCovid, ndërsa në terren ka prezencë të forcave policore.
Sikurse u lajmërua që mbrëmë, plani i vaksinimit u zgjerua edhe në dy qytete të tjera, veç atij të Tiranës.
Sot vaksinimi në Shkodër do të kryhet në spitalin rajonal, ku veç bluzave të bardha, do të nisë vaksinimi dhe për të moshuarit.
Pjesë e grupit që pritet të marrin dozat e para, jane ata që punojnë në repartet e infektivit, pneumologjisë, infektivit dhe urgjencës si të gjithë nga repartet e tjera që janë mbi moshën 55 vjeç.
Po ashtu edhe të gjithë punonjësit e tjerë të shëndetësisë që janë mbi 55 vjeç në Shkodër do të vaksinohen duke qenë se janë me risk më të lartë infektimi.
Ndërkohë faza e dytë e vaksinimit në Shkodër pritet që të bëhet pas një jave dhe pritet që të mbërrijnë afro 1 mijë doza të tjera.
Kujtojmë se mbrëmjen e së hënës në vendin tonë erdhën 7020 doza të tjera vaksinash antiCovid nga Pfizer.
Rama dje lajmëroi se ka marrë premtim me shkrim edhe nga një tjetër shtet për të sjellë në Shqipëri në muajin prill 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.
Ai tha se marrëveshja nuk është firmosur, por pritet që së shpejti me këtë shtet të kemi një takim në nivel zyrtarësh të lartë.
Theksojmë se ky është “plani” i parë i qeverisë mbi vaksinimin, pasi pas qindra dozash të siguruara të vaksinave, vetëm një pjesë e vogël e mjekëve janë vaksinuar në Tiranë.