Partia Social Demokrate, pjesë e së cilës është edhe Tom Doshi, është regjistruar si subjekt në zgjedhjet e 25 prillit, me kryetar Engjëll Bejtja. Menjëherë pas këtij vendimi ka ardhur dhe reagimi Tom Doshit, i cili është shpallur “non grata” nga SHBA.
Vetë Doshi sqaron se në zgjedhjet e 25 prillit do të jetë ai kryetari i Partisë Social Demokrate në listat zgjedhore.
Doshi sqaron se në një mbledhje të strukturave të partisë është votuar që ai të jetë kryetar, por që vendimi në fjalë të marrë formë të prerë edhe në gjykatë duhet pritur data 19 shkurt.
Nisur nga ky fakt, PSD për të mos shkelur afatin e regjistrimit në zgjedhje vendosi t’i drejtohej KQZ-së me emrin e kryetarit Engjëll Bejtja.
Doshi shton se pas 19 shkurtit, pasi vendimi që ai është rikonfirmuar sërish në krye të PSD-së të marrë formë të prerë, do të jetë ai kryetari. Madje shton se do të garojë në katër qarqe.
Kujtojmë se sëfundmi emri i Tom Doshit ka qenë kryefjala e ambasadores amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.
Ambasadorja Kim ka rritur presionin mbi partitë politike, duke u kërkuar të filtrojnë listat e kandidatëve për deputetë, në mënyrë që të shmangen personat me rekorde kriminale, si një nga kushtet që BE vuri për antarësimin e Shqipërisë.