Kosova ka nisur votimet për zgjedhjet e parakohshme që prej orës 07:00 të së dielës në kushtet kur vendi ësjhtë duke kaluar një pandemi. Deri në orën 15:00 pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë rreth 32%. Ndërkohë, procesi ka shkuar I qetë dhe pa probleme. Ndër personat që kanë shkuar të votojnë është edhe një 107-vjeçare. Xhyzide Aliu ka votuar në fshatin Dardani të Ferizajt, teksa ajo vetë ka thënë se nuk ka humbur asnjë proces zgjedhor pa marrë pjesë. Nënë Xhyzideja është shprehur se pret ndryshim për të rinjtë dhe se kryeministri i ri t’i kënaqë të gjithë.
“Prej që e mbaj në mend se ka filluar votimi, unë kam votuar. Të rinjtë shpresoj që marrin rrugë të drejtë. Pres ndryshim për të rinjtë, të rriten, gëzohen e të përparojnë. Të rinjtë të dalin në dritë dhe kryetari i ri t’i kënaqë të gjithë. Nuk kam lënë asnjëherë pa votuar”, u shpreh 107-vjeçarja.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë garojnë 21 parti, dy koalicione dhe 5 iniciativa qytetare. Qytetarët mund të votojnë në 888 qendra votimi, ndërkohë do të ketë 500 vëzhgues në qendra të ndryshme votimi për të siguruar mbarëvajtjen e procesit. Zgjedhjet po mbahen me të gjitha masat e nevojshme mbrojtëse nga koronavirusi, ndërsa mundësia për të votuar i është dhënë edhe qytetarëve që janë të infektuar në qendrat spitalore.