Jo vetëm logoja e vjedhur por kanë nisur dhe kërcënimet mes studentëve dhe drejtuesve brenda godinës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Ditëve të fundit, interneti po gëlon nga çështja e logos së “vjedhur” nga ana e kompanisë, që ka fituar tenderin për rinovim rrënjësor të imazhit dhe identitetit të institucionit.
Një denoncim i rëndë është sot bërë nga pianistja Ardita Bufaj, e cila kundërshtoi fort logon e re, që rezultoi për më tepër e vjedhur dhe e mbi paguar në vlerën e 18 milionë lekëve të vjetra.
Por mendimi ndryshe i ka kushtuar një kërcënim pianistes, që sipas saj i ka ardhur nga drejtoresha artistike e TKOB, Abigeila Voshtina. Në një postim në rrjetet sociale, Bufaj i kërkon drejtoreshës që të ndalojë me kërcënimet ndaj njerëzve të pafajshëm.
“Po i drejtohem per here te pare, me nje gjuhe qe nuk eshte ne edukaten dhe kulturen time, drejtoreshes artistike te TKOB-se:” Mos guxo me te kercenosh ne telefon njerez te pafajshem, dhe te zesh ne goje emrin dhe te cenosh personalitetin tim, duke menduar se me arrogancen qe ju karakterizon, do frikesoni cdo artist qe del dhe thote te verteten!!! Nuk kam pasur ndonjehere Frike, edhe kur kam qene perballe me ty, dhe jo me sot…!!! Harroje e nderuar, se me frike e terror nuk mund te behet Art, dhe aq me teper, te mbahet nje Teater Opere. Do ta mbroje teatrin me shume force dhe guxim, jo vetem per kontributin 10- vjeçar qe kam dhene me shume pune e pasion, por per gjithe kontributin e vyer te cdo artisti qe ka dhene shpirtin per ta mbajtur gjalle ate Teater!!”, shkruan ajo në postim.
Ngjarja
Në janar të vitit të kaluar, Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP), shpalli konkursin e hapur me anë të një thirrjeje publike për dizajnin e logos së re të këtij institucioni.
Kompania Pika Pro fitoi tenderin dhe paraqiti logon e saj e cila u vendos në faqen zyrtare të TKOBAP-së në dhjetor të 2020-ës.
Fill pas kësaj në mediat sociale qarkulluan dy imazhe të njëjta, njëra e Pika Pro-së dhe tjetra e dizajnuar nga Freepik.
TKOBAP-ja, reagoi në faqen e tij zyrtare duke sqaruar që nuk kishte lidhje me monitorimin e logos dhe se nuk mundet të mbajë përgjegjësi për origjinalitetin e një produkti.
Nga ana tjetër kompania ka reaguar në një postim duke e distancuar veten nga “vjedhja e logos” dhe duke sqaruar që është ngjashmëri. Ajo ka shpjeguar të gjithë konceptin e detajuar.
Problemet e vazhdueshme me tenderin
Shpesh herë ka pasur akuza për mënyrën e funksionimit të tenderimit, se si shumë detaje nuk janë bërë të ditura. Por, TKOBAP-i i ka hedhur poshtë, duke postuar të gjitha detyrimet e kompanisë fituese.
Në kuadër të këtij konkursi, aplikantët duhet të dorëzonin jo vetëm një logo, por një set produktesh marketingu dhe se “punimet duhet të jenë origjinale, të pa publikuara dhe autori duhet të pranojë përgjegjësi ligjore për sa I përket autenticitetit të punimeve të dorëzuara”.