Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka folur për mundësitë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin e vendit, Edi Rama.
Lëvizja Vetëvendosja ka zgjedhur disa kandidatë të pavarur që do të kandidojnë në Shqipëri në zgjedhjet e 25 Prillit. I pyetur se si do të ndikojë kjo në marrëdhëniet me Ramën, Kurti tha se këto prurje duhet të shihen si prurje demokratike, pasi janë në ndihmë të vendit.
Në një intervistë për “RTK”, kryetari i VV u pyet dhe për raportet me Ramën pas shkëmbimit territorial që u kthye dhe në projekt, mes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Serbisë.
PJESË NGA BISEDA:
Pyetje: A do ketë bashkim me Shqipërinë? Ramën doni apo nuk doni do ta keni edhe 1-2 muaj në qeveri, a e pengojnë këto raportin mes dy vendve?
Kurti: Nga pikëpamja jonë jo. Bashkëpunimi duhet të jetë përtej partive që shkojnë e vijnë. Vendet e BE janë shumë më të integruara se Kosova me Shqipërinë. Mund të bëjmë shumë më tepër si psh politika e jashtme. Nuk e kemi komoditetin që të kemi diferenca në politikën e jashtme. E dyta politika e sigurisë dhe mbrojtjes dhe e treta ajo e burimeve. Duhet t’i zgjidhim këto probleme. Tek mbledhjet mes dy qeverive unë do të insistoj që t’i adresojmë këto problematika. Kemi diku tek 77 marrëveshje. Me Ramën s’kam pasur marrëdhënie të këqija nga pikëpamja ime, por jo të mira si dikur për shkak të idesë së shkëmbimit territorial, që u kthye në projekt.
Pyetje: LVV është regjistruar në zgjedhje në Shqipëri, a mund të krijojë pakënaqësi me kryeministrin e Shqipërisë?
Kurti: Për besë unë nuk mundem të analizoj imagjinatat nga më të pakontrolluara. LVV e Shqipërisë e ka autonominën e vetë. Unë besoj se i kontribuojnë demokracisë. Janë kandidatë të pavarur, është prurje demokratike.