Policia e Vlorës ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim ndërkombëtar autorin e dyshuar të vrasjes së dy vëllezërve në vitin 1998. Mësohet se vrasësi është shtetasi Gerti Selimaj, 47 vjeç për të cilin është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ngjarja ka ndodhur 23 vite më parë në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Beqir dhe Elmaz Hasho.
Njoftimi i plotë i Policisë së Vlorës:
Vijon puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë. Zbardhet vrasja e dyfishtë e ndodhur në vitin 1998, në Vlorë. Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë.
Seksioni i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur në vitin 1998, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 2 vëllezër, shtetasit B. H. dhe E. H.
Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasit:
- S., 47 vjeç, të cilit Gjykatës e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Vijon puna intensive për lokalizimim dhe arrestimin e këtij shtetasi.