Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike disa nga modelet e fletëve të votimit, me anë të së cilave shqiptarët do të zgjedhin qeverinë e re më 25 prill.
Këto modele të reja vijnë në kuadër të ndryshimeve kushtetuese që u bënë në vjeshtën e 2020-s. Duke qenë se tani është me listë të hapur, fleta e votimit nuk do të jetë e njëjtë me të mëparshmet.
Në të katërta këto modele parashikohet ndarja e fletës së votimit në dy pjesë. Një pjesë do të jetë e dedikuar për votën që qytetarët do të japin për partitë dhe pjesë tjetër do të jetë hapësira ku qytetarët do të japin votën preferenciale për deputetin që duan t’i përfaqësojë në Kuvend.
Krahas votës për logon e partive apo koalicioneve, vota për kandidatin e preferuar do jepet duke e identifikuar atë me numrin që ai do të ketë në listë.
Mendohet se Partia Demokratike ka kërkuar një model flete votimi që të ketë të përfshirë edhe emrat e kandidatëve.
Kujtojmë se në zgjedhjet e vitit 2021 votuesit shqiptarë do të kenë mundësi të bëjnë dy zgjedhje. Ata do të votojnë partinë politike por gjithashtu kanë mundësi të zgjedhin edhe kandidatin e preferuar nga lista e saj.