Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale, Orgeta Manastirliu ka njoftuar masat e reja anti-covid që do të vihen në zbatim që prej ditës së nesërme.
Në mbledhjen e sotme të Komitetit Teknik, vemendja u përqëndrua edhe tek situata në bare, restorante dhe trasnportin publik, i cili është i mbingarkuar në kohë pandemie.
E pyetur nga gazetarët se si do të procedohet me këtë sektor, Manasterliu tha se masat do të shtrëngohen dhe do të kërkohet zbatimi i protokollit.
“Është shumë e vërtetë vërejtja juaj. Ka një relaksim të sjelljes. Virusi gjen sheshit për të dëmtuar. Mosmbajtja e maskës, mosmbajtja e distancës, mosmbajtja e higjienës janë aspekte që ndikojmë në rritjen e infektimeve. Nuk do të kemi asnjë tolerancë për të gjithë ata që nuk zbatojmë protokollin, qoftë për baret, restorantet, ku ka kritere qoftë për vendosen e tavolinave, distanca, kapaciteteve. Sikurse në sistemin e transportit publik, ka rregulla të përcaktuara, ku Task-Forca ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe, por nuk mund të kemi “një qytetar një polic”. Nuk e ka asnjë vend në botë, por kemi mundësinë të tregojmë që kemi sjellje qytetare dhe kulturën e mjaftushme ku secili të bëhet pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit.”, u shpreh ajo.
E pranishme gjithashtu në mbledhjen e Komiteit Teknik, Drejtoresha e Infektivit, Najada Çomo është shprehur se ditët e fundit ka pasur një formë të rëndë të Covid-19 te moshat e reja, ku nuk kanë munguar as vdekjet.