Protesta e banorëve të Astirit vazhdon ende dhe duket se nuk kanë asnjë qëllim të tërhiqen deri në momentin që qeveria të anulojë projektin e Unazës së Re dhe rrjedhimisht vendimin për prishjen e banesave të tyre.
Tashmë prej tre muajsh, banorët nga ora 17:00 deri në 18:00 mbajnë protestën e tyre ku bëjnë edhe thirrje kundër qeverisë nën fjalët “Rama ik”. Ata shprehen gjithashtu gati njëzëri se shtëpitë e tyre do t’i mbrojnë deri në fund, nëse është nevoja edhe me gjak.
Si çdo ditë në mbështetje të tyre kanë ardhur dhe deputetët e Partisë Demokratike, këtë herë të shoqëruar nga Lulzim Basha.
Basha ka përfituar dhe i ka dhënë edhe një ultimatum kryeministrit Rama duke i thënë se ka kohë që të reflektojë deri më 15 shkurt e të largohet vetë, sepse në të kundërt do përballet me protesta.
Ai është shprehur se banorët e Astirit kanë për të qenë në ballë të protestës.
“Deri më 15 shkurt Edi Rama ka kohë që të largohet. Më 16 shkurt Edi Rama nuk ka më kohë. Koha atëherë do të jetë e juaja, e qytetarëve të bashkuar, për të shporrur Edi Ramën nga karrigia. Të gjithë bashkë do të shpëtojmë Shqipërinë”, – tha ndër të tjera Lulzim Basha.
Nga ana tjetër banorët teksa falënderuan opozitën dhe kryetarin e saj Lulzim Basha për mbështetjen e kauzës së tyre, i dhanë fjalën se me 16 shkurt ata do të jenë në krye të protestës, që sipas tyre do të sjellë rrëzimin e Qeverisë.