Një ngjarje e rëndë është shënuar në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Ka humbur jetën një 28 vjeçare, e cila pak ditë më parë kishte sjellë në jetë fëmijën e saj. Ngjarja u bë e ditur nga spitali mesditën e sotme.
Mësohet se e reja nga Korça ishte e infektuar me Coronavirus dhe për shkak të gjendjes së rënduar u dërgua në Sanatorium. Prej dy ditësh ndodhej në intubim, por fatkeqësisht ka ndërruar jetë mbrëmë.
E reja ishte nënë e 3 fëmijëve, ndërsa pak kohë më parë kishte sjellë në jetë njërin prej tyre. Rasti i 28 vjeçares nga Vloçishti i Korçës është raportuar edhe më herët, pasi ajo lindui fëmijën dhe u kthye sërish në Sanatorium.
Mjekët dje kanë qenë optimistit për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të saj, por fatkeqësisht një komplikacion i mori asaj jetën. Nuk dihet nëse ajo vuante nga sëmundje të tjera.
Kujtojmë se ky nuk është rasti i parë që kovid i merr jetën një të riu. Rasti i fundit u shënua në Vlorë.
Bëhet fjalë për Fatjon Halilaj në moshën 37 vjecare. I riu kishte ditë që luftonte me coronavirusin, por gjendja e tij u rëndua dhe u fut në intubuim për dy ditë, ku më pas humbi dhe jetën.