Mësimi online veç vështirësive të shumta, është shoqëruar edhe me situata humori për shkak të kushteve në të cilat zhvillohet. Në rehatinë e shtëpisë, ndodh që në takimet virtuale studentët ta harrojnë për një moment seriozitetin e situatës dhe të krijojnë çaste qesharake. Një rast të tillë e ka rrëfyer edhe aktori e pedagogu i Univeristetit të Arteve, Genc Fuga. Në një intervistë me gazetaren Mirela Milori Fuga ka treguar se i ka parë prindërit e studentëve me tava nëpër duar, duke krijuar kështu të qeshura në studio.
“Kam një prirje që të gjej humorin në shoqërinë shqiptare dhe e vërteta është që kjo shoqëri ofron jashtëzakonisht shumë humor. Jam në fazën që me studentët duhet të bëjmë mësimet online, kryesisht duhet të shpjegojmë veprën e Shekspirit dhe për më tepër ta materializojmë atë. Sigurisht jemi online, kategorikisht njoh të gjithë prindërit që nuk i kisha parë më përpara. Është e mrekullueshme sesi kërkoj vëmendjen e studentëve duke i folur për Shekspirin 1600-ën, atë mrekulli, galeri të tërë personazhesh edhe pastaj është prindi me një tavë në dorë që thotë ‘më falni, prapë patate për drekë apo jo?’ dhe ikën, kalon.”, ka thënë Fuga.
Kujtojmë që veç momenteve të tilla mësimi online është shoqëruar me vështirësi të shumta. Ka pasur studente që nuk kanë pasur akses në internet apo mungesë të pajisjeve elektronike. Ndër të tjera është vendosur që edhe provimet e sezonit të parë të mbahen online gjë që do ta thellojë edhe më shumë diskriminimin dhe përjashtimin e studentëve për arsye ekonomike.