Kryedemorkati Lulzim Basha i është përgjigjur sulmeve të kryeministrit Edi Rama. Në një konferencë për media, Basha tha se “qytetarit Rama” nuk i ka mbetur gjë tjetër veçse sulmeve përsonale.
Kryeopozitari u ndal dhe tek sulmet e fundit që Rama adresoi kundër ambasadorëvë të huaj në vend.
“Ka nisur ritualet e tij Chavez-iane. Orë të tëra, sulme ndaj opozitës, mediat, ambasadorëve, sulme ndaj BE”, tha Basha duke iu referuar kreut të qeverisë.
Kujtojmë se paraditen e sotme, kryeministri në konferencën e përjavshme “ Fokusi në Ekonomi”, e cilësoi planin ekopnomik të PD si natyra e vetë Bashës, të dështuar e pa shtyllë kurrizore.
Fjala e plotë e Bashës: “Është i vetmi që del i humbur nga ky program. Qytetari Rama pas 8 vitesh premtimesh te pambajtura, nuk i ka ngelur gjë tjetër që nga mëngjesi në darkë të ngulet para TV ose Facebook dhe të të vjellë sulme personale që pas shpalosjes së programit janë intensifikuar. Media e kupton përse e bën këtë. Çfarë tjetër mund të bëjë kryeministri në ikje? 8 vite dështime, ku ka prodhuar papunësi, rritje taksash, rritje e kostove të jetesës, largimin më masiv të të rinjve, me dy fjalë shkatërrim të ekonomisë dhe vendit.
Imagjinoni, nuk është e lehtë! Vendoseni veten në pozitën e një njeriu që ka pasur gjithçka në dorë, edhe arrën edhe gurin. Pushtetin më të pakufizuar nga koha e Enver Hoxhës e ka pasur Edi Rama. Shikoni tani ku e ka katandisur Shqipërinë me pushtetin që ka pasur. Ndërkohë që ka nisur ritualet e tij Chavez-iane. Orë të tëra, sulme ndaj opozitës, mediat, ambasadorëve, sulme ndaj BE. Unë nuk bëj premtime. PD nuk bën premtime. Ky që është shpallur nga kjo sallë është angazhim, plan pune konkret, dhe ka marrë një kohë të gjatë për tu përgatitur me ekspertët më të mirë tanët, dhe me ndihmën më të vyer të ndërkombëtarëve. Me këtë plan fiton Shqipëria, fitojnë të gjithë, vetëm një nuk fiton, humb Edi Rama. Po ia them sot: Ta kuptoj mirë nervozizmin, por koha jote ka mbaruar!”