ANGLIA rrezikon të përjashtohet nga Kupa Botërore për shkak të masave kufizuese të vendosura prej Covid-19. Lajmin e ka publikuar e përditshmja angleze The Sun.
Sipas kryetarit të Partisë Laburiste, Sër Keir Starmer, kushdo që shkon në Angli duhet të kryej një karantinë 10-ditore në hotele, kushdo qoftë, edhe sportistët profesionist. Aktualisht këto masa do të zbatohen për 33 vende dhe nuk ka përjashtime për yjet elitarë të sporteve që vijnë nga kombet ku kërkohet karantinimi në hotele.
Në këtë mënyrë Anglia humbet në mënyrë direkte ndeshjen në Poloni, San Marino dhe Shqipëri. Ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë është planifikuar të zhvillohet më 28 mars të këtij viti në vendin tonë dhe në rast se do të merret vendimi i propozuar, atëherë rrezikon që Anglia ta humbasë ndeshjen me Kombëtaren tonë në tavolinë.
Skuadra e Gareth Southgate do të merrte një humbje 3-0 në çdo ndeshje, duke dëmtuar rëndë shanset e tyre për t’u kualifikuar në Katar 2022. Vec kësaj një kaos do të shkaktonte edhe për Europianin që pritet të zhvillohet këtë verë, apo ndeshjeve të Champions League apo Formula 1. Nga ana tjetër edhe këta të fundit do ta kenë shumë të vështirë pjesëmarrjen në garat europiane, pasi për çdo rikthim në Angli, do të duhet të qëndronin 10 ditë në karantinë dhe me shumë ndeshje të shtyra, do të rrezikohej përfundimi në kohë i kampionatit.