Në momentin që flitet për para, shumë njerëz i harrojnë idealet dhe bindjet e tyre, më keqja akoma, këta njerëz marrin nga paratë tona publike.
Pamfleti.net shkruan se Arben Çela ish-militant i PD tashmë ka ndërruar krah dhe po merr tendera të dyshimtë nga ‘ustallarët’ e Rilindjes, sidomos nga kryetari i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli dhe kryetari i Bashkisë së Burrelit, Agron Malaj, më parë ish-gardist i Sali Berishës në 21 Janar. Ky I fundit e ka nisur rritjen në pushtet fillimisht në OSHEE dhe tashmë si kryetar bashkie.
Arben Çela është pronar i një kompanie të quajtur ‘Udha’, më parë ‘Vllaznia Ndërtim I. S’ dhe më herët ka qenë një klient i pushtetarëve të Partisë Demokratike në Dibër dhe është lakuar disa herë si kandidat i kësaj force politike, para zgjedhjeve lokale dhe parlamentare. Në momentin që nisi ta kuptonte me cilën palë kishte më shumë fitim, Çela e braktisi PD-në për Partinë Socialiste. Pamfleti.net shkruan se pas flirteve, në shtator të 2019, Arben Çela vendosi të bëhej pjesë e një shfaqje teatrale të Edi Ramës në Kryeministri. Bëhet fjalë për takimin e përjavshëm të bashkëqeverisjes, ku ‘Rilindja’ supozohej të zgjidhte hallet e qytetarëve përballë korrupsionit në administratë. Çela kishte për të marrë një pagesë nga Bashkia Klos që në vitin 2012. Bashkia nuk ia jepte pagesën, pasi zakonisht, kur merret pagesa, lihet edhe përqindja.
“Shpresoj që problematika të tilla marrin fund sa më shpejt, pasi ekziston si problem sot e kësaj dite”, tha ai në takimin me kryeministrin. Ky i fundit e kishte zgjidhur ‘problemin’, ndërsa disa punonjës të Kryeministrisë e kishin telefonuar biznesmenin që të vinte të bëhej pjesë e takimit.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha : “Sot të gjithë kryetarët e rinj të bashkive marrin në mënyrë të përjavshme raportin e përgjithshëm të platformës dhe të gjitha rastet që duhen trajtuar brenda afateve dhe çdo rast jashtë afatit trajtohet me përparësi nga unë personalisht me ta. Kjo do të sjellë goxha ndryshim në raport me pushtetin vendor apo subjekteve e qytetarëve që kanë ankesa. Ne po bëjmë një diskutim të brendshëm në luftën kundër korrupsionit dhe një nga pikat, hallkat e dobëta që duhet forcuar është hallka e inspektorëve tatimorë në raport me biznesin”.
Por çfarë ndodhi më pas? Arben Çela nis të marrë tendera nga qeveria, sidomos nga Agron Malaj në Burrel dhe Rakip Suli në Kamëz. Arsyeja se pse këto tendera duhet të jenë objekt i SPAK dhe kjo skemë përfitimi kërkon një ndëshkim ligjor shembullor, ka të bëjë me dyshimet e forta se fituesi është i paracaktuar, pasi oferta fituese është pothuajse sa fondi limit. Në raste të tjera, janë skualifikur të gjitha kompanitë pjesëmarrëse në tendër me ofertë më të ulët, ndërsa është shpallur fitues Çela, me ofertën më të lartë. Në 18 janar 2021, Rakip Suli ka lidhur një kontratë me Arben Çelën për ndërtimin e disa rrugëve në territorin e bashkisë Kamëz. Fondi limit ishte 46 313 179,00 lekë, ndërsa oferta fituese 46,112,635 lekë, një diferencë qesharake. Më skandaloz është rasti i Agron Malajt. Në korrik të 2020, Malaj ka lidhur një kontratë me Arben Çelën për blerje makinash me vlerë rreth 230 milionë lekë. Fondi limit ishte 22 950 830,00 lekë, ndërsa oferta fituese e Arben Çelës është 22 900 000,00 lekë. Diferenca mes fondit limit të ofertës fituese është sa një bashkish, 50 830 lekë. Tenderi karakterizohet nga mungesa e garës.
Marrja e këtyre tenderave pa garë është prova se jetojmë në një sistem të korruptuar. Secila nga partitë në pushtet ka intres vetëm fitimin dhe për këtë lidh kontrata dhe i jep tendera e koncesione oligarkëve duke i pasuruar gjithnjë e më shumë. Ky rast demonstron qartë se si PS ashtu PD dhe LSI nuk kanë ndonjë ndryshim nga njëra-tjetra dhe të treja janë duke grabitur çdo ditë pasuritë e shqiptarëve.
Burimi: Pamfleti.net