Mëngjesi i ditës së sotme ka nisur me një aksident në rrugët e vendit, të cilat kohët e fundit kanë qenë të shumta dhe me pasoja fatale.
I radhës është regjistruar në aksin Elbasan-Librazhd, fatmirësisht pa viktima, por si pasojë e përplasjen dy persona kanë mbetur të plagosur. Sipas Balkan Web, ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Labinot Fushë rreth orës 08:45. Mësohet se në aksident janë përfshirë një kamionçinë dhe dy autovetura dhe si pasojë e përplasjes së fortë mes tyre kanë pësuar dëmtime të rënda. Ende nuk dihet cilat janë shkaqet e vërteta të aksidentit të trefishtë, por dyshimet e para janë se mund të ketë ndodhur për shkak të një parakalimi të gabuar të njërës prej autoveturave. Qarkullimi në zonë është bllokuar përkohësisht dhe makina të tjera nuk mund të lëvizin. Policia është në vendngjarje dhe është duke mbledhur provat për të zbuluar edhe rrethanat e shkaqet që çuan në aksidentin e trefishtë. Mesohet se dy të plagosurit fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën
Ditët e fundit aksidentet në vend kanë qenë të shpeshta dhe disa persona kanë humbur jetën si pasojë e tyre. Një punonjës policie humbi jetën në aksin Vlorë-Fier, po në të njejëtin aks humbi jetën edhe një 23-vjeçare. Ndërkohë po në Fier, humbi jetën një infermier duke shkuar për në punë me veturën e tij.