Nga sot hyjnë në fuqi bllokimi dhe mbyllja e kufijve të Francës për vendet që nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe vendin tonë. Për shkak të rritjeve të shifrave me COVID-19 dhe konfirmimit të variantit të ri Britanik dhe atij të Afrikës së jugut, Franca ka vendosur masa të reja bllokuese.
Kështu, sot Franca mbyll kufijtë për Shqipërinë, Kosovën dhe për gjitha vendet jashtë BE-së për të frenuar përhapjen e COVID.
Asnjë fluturim nuk do të kryhet në Francë nga vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Prej ditësh autoritetet franceze po diskutonin për një mbyllje totale të 3-të për vendin, por duket se vendosën që kufijtë të mbyllen vetëm me vendet që nuk janë anëtare të BE-së. Kujtojmë se Franca është aktualisht në orë policore, ku lëvizja nuk lejohet pas orës 18:00, ndërsa dyqanet jo esenciale për jetesën janë të mbyllura dhe shumica vijojnë punën nga shtëpia.
Ky bllokim vjen në një kohë ku Franca vijon fushatën e vaksinimit, por me ritme të ngadalta. Gjatë 24 orëve të fundin në Francë janë regjistruar 22 858 raste te reja dhe 510 viktima nga COVID-19.
Edhe Gjermania ka mbyllur fluturimet me Britaninë, Afrikën e Jugut, Portugalinë, Brazilin dhe Irlandën për shkak të varianteve të reja të COVID. /Gazetareforma.com/