Prokuroria ka përfunduar hetimet lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë, Nevaldo Hajdaraj. Tashmë nuk ka më dyshime se Rasha është vrarë me dashje nga polici Hajdaraj. Në kamerat filmike duket se efektivi e ka kapur fillimisht të riun nga krahu, por ai ka arritur që të largohet.
Më pas ai e ka qëlluar me armë duke i shkaktuar vdekjen. Sipas informacioneve për mediat, Klodian Rasha nuk ka qenë i armatosur ditën e ngjarjes dhe këtë e ka ditur edhe Nevaldo Hajdaraj, efektivi që qëlloj mbi të natën e 8 dhjetorit.
Pas zbardhjes së kamerave afër vendin të ngjarjes, tashmë organi i akuzës është i bindur për këtë fakt. Në pamje shihet qartë se Nevaldo e ka parë që Rasha nuk ka pasur armë, por sërish ka qëlluar mbi të.
Pritet që efektivit Nevaldo Hajdaraj ti komunikohet akuza e vrasjes me dashje dhe më pas dosja do t’i dërgohet gjykatës.
Në deklaratën zyrtare pas ngjarjes dhe në referimin e dosjes në prokurori, SHÇBA e akuzoi efektivin e policisë për “vrasje në kushtet e tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme”.
Më pas prokuroria, e gjendur para pamjeve të videove që u publikuan në media, ndryshoi akzuën në “vrasje me dashje”. Prova kryesore në lidhje me akuzën e re lidhej me pamjet filmike të sekuestruara ku qartësohet momenti i goditjes me armë nga punonjësi i policisë.
Sipas këtyre pamjeve, efektivi i repartit “Shqiponja” ka qëlluar ndaj Klodian Rashës kur ka qenë i shtrirë, ndërkohë që 25-vjeçari po largohej me vrap në drejtim të banesës.
Në pamje shihet qartë që Nevaldo Hajdaraj, i cili ishte vënë në ndjekje të të riut, e ka arritur atë dhe e ka kapur nga duart. Por, personi që më vonë u identifikua si Klodian Rasha, ka mundur t’i shpëtojë nga duart dhe të largohet.
Në këtë moment, Hajdaraj e ka qëlluar për vdekje. Nisur nga kjo provë e re, prokuroria thotë se efektivit i policisë duhet të përgjigjet për akuzën e vrasjes me dashje, pasi fakti që ai i ka kapur duart, ai e ka patur të qartë që po qëllonte një person të paarmatosur. Që viktima dhe autori u përplasën fizikisht, ishte pohuar më herët nga Erion Gj, kolegu i Nevaldo Hajdaraj, i cili gjithashtu u vu në ndjekje të të riut, që s’iu bind urdhrit për t’u ndaluar.
Po kështu sipas prokurorisë, pistoleta e gjetur në pellgun e ujit, rreth 80 metër larg vendit të ngjarjes, për të cilën policia aludoi fillimisht se i përkiste viktimës Klodian Rasha, është ende e paidentifikuar nga ekspertiza që është kryer.
Grupi i hetimit ka administruar ekspertizën balistike të kësaj arme, por nuk është arritur të përcaktohet personi që e ka pasur atë.
Rreth 12 orë pas ngjarjes, më 8 dhjetor 2020, SHÇBA në deklaratën zyrtare theksoi se nga hetimet paraprake është konkluduar se veprimet e punonjësit të Policisë, Nevaldo Hajdaraj, bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Nëse shpallet fajtor për akuzën e re të vrasjes me dashje, oficeri i repartit Shqiponja rrezikon një dënim deri në 20 vite heqje lirie.
Ndërkohë qeveria e cilësoi vrasjen si aksidentale, një cilësim që ngjalli mjaft reagime të ashpra nga opinioni, por edhe nga familja Rasha që thanë se kjo ishte vrasje për herë të dytë.
Vrasja ngjalli revolta të shumta në radhët e qytetarëve dhe kryesisht të rinjve, që shpërthyen në protesta të dhunshme në të gjithë vendin.
/Gazetareforma.com/