Aksidenti i rëndë në Vlorë, ku humbi jetën vajza 23 vjeçare, Anxhela Çapo, duket se nuk është zbardhur nga policia. Madje, është arrestuar personi i gabuar. Fillimisht, policia tha se në timon ishte viktima, pastaj doli me një deklaratë ku tregoi se në vijim të hetimeve u zbulua që shofere kishte qenë Silvana Muho, shoqja e viktimës. Por, këtë hetim e përmbysin pamjet e një videoje të xhiruar vetëm 3 minuta para aksidentit.
Këto janë pamjet para se të ndodhte aksidenti i rëndë dy ditë më para në autostradën Vlorë-Levan, ku humbi jetën 23-vjeçarja Anxhela Çapo dhe mbeti e plagosur shoqja e saj 22-vjeçare, Silvana Muho.
Dy vajzat kanë qenë duke udhëtuar me makinën tip “Hyndai” dhe po lëviznin me një shpejtësi mbi 160 km/orë.
Shpejtësia e madhe është bërë shkak që 23-vjeçarja të humbë kontrollin e makinës dhe të shkaktojë aksidentin fatkeq.
Balkan Web ka siguruar pamjet 3 minuta para se të ndodhte aksidenti tragjik, ku vajzat kanë bërë video për t’i nxjerrë në rrjetet sociale.
Siç duket edhe nga pamjet, në timon ka qenë Anxhela Çapo, ndërsa video është bërë nga telefoni i Silvana Muhos.
Në njoftimin zyrtar një ditë pas aksidentit, policia thotë se në timon ka qenë 22-vjeçarja Silvana Muho, e cila deklaroi se ishte pasagjere.
Sipas policisë aksidenti ka ndodhur si pasojë e daljes së makinës nga rruga prej shpejtësisë së lartë. Makina u përmbys ndërsa trupi i së ndjerës ishte 300 metra larg mjetit.
” Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, në lidhje me aksidentin rrugor të ndodhur në autostradën Vlorë-Fier, nga veprimet hetimore ka rezultuar se në drejtim të mjetit nuk ka qenë shtetasja A. Ç., 23 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë në vendngjarje, por ka qenë shtetasja S. M., 22 vjeçe” – njoftoi policia.
Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/Gazetareforma.com/