Njoftim i rëndësishëm për ata që udhëtojnë nesër në Itali,. Aeroportet italiane mbyllen nesër në mesditë nga greva e kontrollorëve
Autoriteti i Aviacionit Civil njofton të gjithë udhëtarët që kanë prerë biletën për të udhëtuar nesër drejt Italisë, që të kontrollojnë oraret e biletave të tyre, sepse atje është paralajmëruar grevë.
Sipas AAC, kontrollorët e trafikut ajror kanë lajmëruar grevë nesër më datë 29 janar, nga ora 13.00 – 17.00.
Njoftimi zyrtar
Autoriteti i Aviacionit Civil, bazuar në njoftimin e Entit Kombëtar të Aviacionit Civil Italian (ENAC), publikuar në faqen zyrtare të internetit (ëëë.enac.gov.it), njofton të gjithë pasagjerët që do të udhëtojnë drejt Italisë, për një grevë të lajmëruar të kontrollorëve të trafikut ajror në datë 29/01/2021, nga ora 13:00 – 17:00.
Për sa më sipër udhëzohen shoqëritë ajrore dhe pasagjerët e interesuar të komunikojnë dhe të informohen për statusin e fluturimit të tyre.
Kufizimet Covid
Udhëtimi nga Shqipëria në Itali është i mundshëm vetëm në prani të arsyeve të domosdoshme si: arsye pune, arsye shëndetësore apo studimi, urgjencë absolute, rikthim në banesë, vendbanim apo vendqëndrim. Nuk lejohet pra udhëtimi për arsye turizmi.
Rikthimi/hyrja në Itali nga Shqipëria u lejohet shtetasve italianë/BE/Schengen dhe pjesëtarëve të tyre të familjes, si dhe mbajtësve të lejeve të qëndrimit dhe pjesëtarëve të tyre të familjes. Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 7 shtator 2020 parashikon gjithashtu hyrjen në Itali të personave të cilët kanë një marrëdhënie afektive të provuar e të qëndrueshme (edhe pse jo bashkëjetues) me shtetas italianë/BE/Schengen ose me persona fizikë me vendbanim të rregullt në Itali (me qëndrim prej një periudhe të gjatë kohore), të cilët duhet të mbërrijnë në banesat, vendbanimet apo vendqëndrimet e partnerëve të tyre (në Itali). Mund të kërkohet një shkresë informative konsullore.
Në momentin e rikthimit/hyrjes në Itali është e nevojshme të plotësohet një vetëdeklarim në të cilin të paraqitet arsyeja e udhëtimit që mundëson rikthimin. Vetë-deklarimi duhet të paraqitet pranë personave të ngarkuar për kryerjen e kontrolleve. Është e udhës të jeni të gatshëm të paraqisni dokumentacionin mbështetës si dhe t’u përgjigjeni pyetjeve të personelit përgjegjës për ushtrimin e kontrolleve. /Gazetareforma.com/