Pasiguria e nxënësve dhe mësuesve në shkollat shqiptare shtohet çdo ditë edhe më shumë. Incidenti i radhës ka ndodhur në Shkodër, ku fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Në shkollën 9-vjeçare “Ndre Mjeda” ka pasur rrjedhje të gazit në një kohë kur nxënës e mësues ishin ende Brenda ambienteve.
Bëhet me dije se incidenti ka ndodhur gjatë ndërrimit të bombolës e cila përdorej në një klasë për ngrohje. Rjedhja e gazit ka shkaktuar panik te nxënësit dhe mësuesit të cilat të tronditur kanë dalë nga godina.
Ky incident fatmirëshisht nuk pati të lënduar, por nuk është hera e parë që një ngjarje e tillë ndodh në shkollat e Shqipërisë. Pak ditë më parë një ngjarje e ngjashme u regjistrua edhe në një shkollë private në Tiranë ku u helmuan gjashtë nxënës.
Shkollat në Shqipëri vazhdojnë të jenë në kushte primitive. Nxënësit ngrohen ende me bombola gazi e më rastin më të keq as nuk kanë ngrohje. Ngjarje të tilla ndodhin në shkolla që janë afër kryeqendrave, si Shkodra, Fieri apo edhe në kryeqytet, por askush nuk flet për shkollat e fshatrave të largëta.
Shumë nxënës detyrohen të ecin me orë të tëra mes të ftohtit të shtyrë nga dëshira e madhe për t’u arsimuar. Disa prej tyre nuk kanë mundësi të blejnë libra, të blejnë veshje madje familjet e tyre nuk sigurojnë dot as të ardhurat e nevojshme për ushqim.
Qeveria shqiptare e ka lënë në harresë arsimin dhe në shkolla mungojnë investimet në ngrohje, kaldaja, apo infrastrukturë më komode ku nxënësit nuk do të ishin të rrezikuar.
Rsti në fjalë është i përsëritur dhe ende nuk është marrë asnjë masë. Vitin e kaluar në gjimnazin “Janaq Kilica” shumë nxënës u helmuan për shkaqe ende të panjohura. Prej atëhere vetëm ka vazhduar propaganda dhe kanë munguar investimet.