Dritan Dajti, i dënuar për vrasjen e 4 efektivëve policie, është dërguar me urgjencë në spital për arsye që ende nuk dihet se për çfarë është shtruar, por raportohet për masa të rrepta sigurie nga ana e Policisë së Shtetit.
Si arriti Dritan Dajti t’ia hedhë dënimit me burg të përjetshëm
Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda e dënoi Dritan Dajtin me burgim të përjetshëm, por njëkohësisht i pranoi atij edhe kërkesën për gjykim të shkurtuar duke i dhënë mundësinë të kryejë vetëm 25 vjet burg për vrasjen e 4 oficerëve të policisë Fatos Xhani, Altin Dizdari, Saimir Duckollari dhe Kastriot Feskaj në vitin 2009. Gjatë gjithë procesit gjyqësor Dajti nuk mori avokat, por nuk pranoi as avokatët kryesisht të përcaktuar nga shteti. Pas një sage të gjatë seancash, pavarësisht mungesës së avokatit, ai mori dënim me burgim të përjetshëm.
Por Gjykata e Lartë e ktheu për rishqyrtim për shkelje procedurale sërish në shkallë të parë. Gjatë rishqyrtimit Dajti nuk e pranoi sërish mbrojtjen, por gjithsesi ai u gjet serish fajtor për vrasjen e 4 policëve. Tashmë është apeli që i uli atij 1/3 e dënimit duke ia kthyer në 25 vjet burg. Anëtaret e trupës gjykuese nuk i përkasin Gjykatës së Krimeve të Rënda, pasi ata janë gjyqtarë të deleguar që vijnë nga gjykatat e Apelit në rrethe. Kjo për shkak se të gjithë gjyqtarët kishin konsumuar të paktën një herë të drejtonin seancat ndaj Dajtit dhe ishin përjashtuar nga gjykimi ndaj tij. Ky është rasti i parë që një vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk e dënon me burgim të përjetshëm ata që gjen fajtor për vrasjen e policëve.
Kush është Dritan Dajti
I lindur në Tiranë më 17 nëntor 1971 (sot 47 vjeç) ka qenë një nga personat më të kërkuar në Shqipëri. Ai u dënua fillimisht me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës për veprën penale të vrasjes.
Ne dosjet e prokurorisë dhe policisë, por edhe në Interpolin Europian, emri i tij shkruhej me të kuqe, pasi cilësohej si një nga personat më të rrezikshëm. Në arkivin e prokurorisë dhe gjykatës “njollosja” e emrit te tij do te realizohej per here te pare per vrasjen e biznesmenit Agim Beqa, në vitin 1999. Viktima kishte nisur ndërtimin e një pallati në rrugën H.H. Dalliu, por ai ishte konfliktuar me disa persona.
Arratisja spektakolare nga gjykata
Historia e tij u bë e famshme kur Dritan Dajti u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003, vetëm pak minuta para se të fillonte seanca kundër tij. Nga hetimet e mëvonshme rezultoi se gjithçka kishte qenë e planifikuar.
Dajti mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, ai iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër. Por nuk ngurroi që pistoletën t’ia drejtonte edhe prokurorit, që në ato moment po bëhej gati për t’u futur në sallën e gjyqit.
Dajti u arratis me pranga në duar, doli nga dera kryesore e gjykatës, u rrëzua një herë, por policia nuk mundi ta neutralizojë. Ai hipi në një motor, që drejtohej nga një person tjetër, dhe u largua ndërkohë që një person tjetër ende i paidentifikuar, qëlloi disa herë me pistoletë në ajër në anën tjetër të rrugës, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së policisë.
Vrasja e 4 policëve
Dritan Dajti, ditën e ngjarjes (7 gusht 2009) ka qenë në Tiranë. Rreth orës 07.30 ka dalë nga shtëpia dhe me Wolksvagen Touareg të drejtuar nga kunati i tij Ergest Xhoxhi ka udhëtuar drejt Durrësit. Rrugës, së bashku me ta ka udhëtuar dhe Ledion Mara, i cili ishte shok me Xhoxhin. Rreth orës 13.50 ata janë ndalur në afërsi të kryqëzimit që të çon për tek pista e vogël “Iliria”.
Në këtë moment ka ndërhyrë policia. Ishte komandanti i forcës së posaçme Fatos Xhani që i është afruar te mjeti “Touareg”, ka hapur derën e parë të krahut të shoferit të mjetit tip dhe me thirrjen “-Ndal policia’” i është drejtuar personit që ndodhej në sedilen e pasme të mjetit. Personat që ndodheshin në makinë kanë hapur zjarr duke e lënë të vdekur atë në vend.
Pasi ka parë praninë e policisë në krahun e shoferit, Dritan Dajti ka tentuar të dalë nga dera e pasme e krahut të pasagjerit, por edhe aty ka konstatuar forca policie e konkretisht në atë moment tek dera e pasme e krahut të pasagjerit është afruar për të hapur derën punonjësi i policisë Saimir Duckollari. Dajti ka hapur zjarr nga brenda makinës me dy armë zjarri dhe për pasojë ka mbetur i vrarë edhe Duçkollari, i cili sapo kishte prekur dorezën e derës së pasme të autoveturës.
Në këto momente efektivët e policisë P.S, F.M dhe Kastriot Feskaj janë përpjekur të neutralizojnë tre persona që qëndronin në këmbë pas mjetit tip “Touareg” në momentin kur forcat policore hynë në veprim.
Dajti ka dalë nga dera e pasme dhe menjëherë ka hapur zjarr në drejtim të punonjësit të policisë Altin Dizdari në distancë jo të largët. Nga shkëmbimi i zjarrit pikërisht në mesin e kryqëzimit ku po zhvillohej ngjarja ka mbetur i vrarë polici Altin Dizdari, i cili nuk ka arritur te hynte ne operacion pasi sapo kishte ardhur ne vendngjarje me motor i maskuar me rroba plazhi. Njekohesisht nga perdorimi i armes prej Dritan Dajtit në momentin kur është qëlluar drejt Altin Dizdarit ka mbetur i vrare dhe shtetasi Ledion Mara, i cili ishte i shoqëruar me Ergest Xhoxhin dhe po qëndronte me të pas makine në momentin kur mbërriti policia.
Dajti ka vazhduar rrugën në drejtim të rrugicës së plazhit me një çantë që kishte krahë qafë. Qëllimi ishte të hynte në plazh dhe të përzihej me plazhistët. Pikërisht në atë rrugicë, Dajti i është afruar policit Kastriot Feskaj i cili kishte kapur një nga personat që po largohej dhe duke e qëlluar disa herë nga pas. Polici u qëllua 2 herë në kokë nga Dritan Dajti. Duke u larguar Dajti ka qëlluar edhe në drejtim të F.S. një kalimtar i rastit.
Në atë moment kanë mbërritur policë të tjerë dhe kanë bërë të mundur arrestimin e Dajtit të plagosur me një plumb në kmbë dhe një në bark. Dajti nuk kishe më plumba në pistoletë. Në çantën që mbante krahqafë u gjetën disa sende dhe dokumente personale të tij si dhe një krehër pistoletë me fishekë, të cilin nuk ka arritur ta fuste tek arma që atij i është sekuestruar.