Sot do të zhvillohet seanca e parë në Gjykatën Kushtetuese, pas tre vjetësh bllokimi. Në rend dite është një kërkesë e Gjykatës së Tiranës me objekt: “Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i togfjalëshit “nga gjykata e shkallës së parë që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit”, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit “… i së njëjtës gjykatë”, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/2017.
Janë 25 çështje të bëra gati, që do të shqyrtohen nga gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
32 të tjera presin për mbledhjen e gjyqtarëve, më e rëndësishmja e të cilave është padia e shoqatës së bashkive, që kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, të cilat në atë kohë u kthyen në një front grindjesh politike.
Gjykata Kushtetuese do t’i rikthehet sot normalitetit, pas gati 3 vitesh bllokim.
Vetingu shkarkoi pjesën dërrmuese të anëtarëve dhe kjo gjykatë mbeti vetëm me Vitore Tushën duke mos pasur kuorumin e nevojshëm për shqyrtimin e çështjeve. Në dhjetor numri i anëtarëve të rinj shkoi në 6 (7 bashkë me vitore Tushën që ishte), duke krijuar numrat e nevojshëm për mbajtjen e seancave gjyqesore. /Gazetareforma.com/