Prej ditësh, Shqipëria ka rënë pre e motit të keq, ku reshjet e shumta të shiut dhe dëborës, si dhe temperaturat e ulëta kanë përfshirë mbarë vendin.
Fushë-Krujë dhe Durrës
Lumi Ishëm dhe Erzen kanë dalë nga shtrati duke sjellë përmbytje të mëdha në shumë fshatra të Fushë-Krujës, si: Murqinë, Mallkuç dhe Bilaj. Uji ka shkuar në disa centimetra lartësi te këto zona, duke lënë dhjetëra hektarë nën ujë. Po kështu ka mundur të depërtojë në dhjetëra banesa, ku ka shkaktuar dëme materiale. Për shkak të sasisë së madhe të ujit, mbi 12 familje kanë mbetur të bllokuara në Shijak. Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë ka sjellë probleme edhe në nisjen e trageve nga Porti i Durrësit drejt Barit dhe anasjelltas.
Vlorë
Në Vlorë, stuhia ka shkulur pemë dhe koshat e vendosur nga bashkia. Përkeqësimi i motit vijon të mbajë të pezulluar lundrimin e mjeteve të vogla në portin e Vlorës. Sipas Kapitenerisë se Portit , përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit do të jetë në datën 27.01.2021 ora 12:00.
Gjirokastër
Rrëshqitjet e dheut kanë sjellë probleme në një pallat pesëkatësh në lagjen Puntori në Gjirokastër. Problemet vijnë si shkak i rrëshqitjes së dheut disa metra, ndërkohë që është çarë edhe betoni i rrugës. Rrëshqitje dherash ka pasur edhe në aksin Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur Ura e Leklit. Nga ana tjetërë, në rrugën e Dardhës, trashësia e borës varion nga 5 cm në 15 cm.