Pas cilësisë së dobët të punimeve në rrugët e ndërtuara prej saj, kompania “Salillari” është përfshirë në një tjetër skandal.
Janë banorët e fshatit Skuraj në Kurbin që tregojnë se si kamionët e kësaj kompanie shkojnë natën dhe masakrojnë lumin Mat.
Ata thonë se këta kamionë gërryejnë lumin dhe mbushen me zhavorr, ndërsa në lum zbrazin mbetje të ngurta.
“Ka bërë një krim shumë të madh që lumi i Matit s’duhet të preket kurrë dhe ka marrë zhavorin dhe ka hedhur inerte nga Tirana. Mbeturinat e Astirit që kanë prish pallatet i sjellin të mbushin lumin Mat pasi i marrin zhavorin”, denoncoi banori.
Banorët shprehehn se janë ankuar në bashkinë e Laçit dhe komunën e Milotit, të cilët u kanë thënë se kjo kompani nuk ka leje për të vepruar.
Kujtojmë se ky nuk është skandali i parë me kompaninë “Salillari”, pasi vetëm disa ditë më parë rruga e Borshit e ndërtuar nga kjo kompani u shkatërrua nga shiu për shkak të cilësisë së dobët të punimeve.
Por cilësia e dobët e punimeve e firmës “Salillari” ka dalë në pah edhe në aksin Çorovodë-Përmet, për të cilën kjo kopmani ka përfituar 1.2 miliardë lekë për ndërtimin e këtij segmenti, që është dëmtuar nga reshjet e shiut. /Gazetareforma.com/