Ajo që dukej si një panoramë e zakonshme e një prej zonave kryesore të Tiranës, befasisht u shndërrua në një skenë surreale.
Dy kalimtarë gjendeshin në vijat e bardha kur krejt papritur, një automjetit tip BMW vuri në rrezik jetën e tyre.
Pamjet shokuese pushtuan rrjetet sociale dhe portalet, teksa Policia e Tiranës, gjatë këtyre ditëve nuk pati asnjë reagim zyrtar, pas bërjes publike të ngjarjes.
Stiverjan Dashi, drejtuesi i BMW-së u ndëshkua vetëm me një gjobë prej 150 mijë lekësh të vjetra. Top Channel bën me dije se i riu është ndëshkuar 43 herë për shkelje të rregullave, si hyrje me semafor të kuq apo edhe tejkalim shpejtësie. E megjithatë ende qarkullonte me patentë. Duket se sistemi i pikëve për lejen e drejtimit, për të nuk ka funksionuar.
Momentet e tmerrit rrëfehen nga një dëshmitar që u gjend aty pranë.
“Po vija nga kryeministria për të ikur tutje. Në moment pashë që u përplas. Aty ishte një katrahurë e madhe. Njerëzit po iknin të lebetitur. Ç’kuptim ka, si mund të shkojë me një gjobë ky? Kush është ky?”
Eksperti i sigurisë rrugore Arben Luzi, thotë se mjeti ka qenë disa herë më shpejt se shpejtësia e lejuar në atë rrugë:
“Ai është një aksident shumë i rëndë. Fati i madh i atyre njerëzve që po kalonin, i atyre drejtuesve që po vinin nga Stadiumi Arena. Mjeti ka qenë me shpejtësi 150 km/h. Kur duhet të dimë se në bazë të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kodit rrugor, shpejtësia maksimale e lejuar në qendrat e banuara është 40 km/h”.
Eksperti Luzi, thotë se tashmë drejtuesit të mjetit i është hequr leja e drejtimit dhe se ka nisur një hetim ndaj tij.
“Pra personi aktualisht duhet të jetë pa leje drejtimi. Pra i është dhënë një procesverbal që e ka të sekuestruar lejen e drejtimit dhe pas shprehjes së organeve të drejtësisë, do të shprehet edhe organi tjetër administrativ, për vendosjen e sanksionit plotësues, pezullimin e lejes së drejtimit”, thotë Luzi.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit reagoi vetë sot, ku hodhi poshtë lajmet se i riu, Stiverjan Dashi është familjar i një zyrtari drejtues në polici.