“Shkak lufte për Turqinë”, kështu e kanë cilësuar mediat ndërkombëtare vendimin për zgjerim të Greqisë në detin Jon.
Një analizë e tillë vjen fill pasi parlamenti fqinj votoi pro projektligjit të Ministrisë së Punëve të Jashtme për shtrirjen e ujërave territoriale të vendit me 12 milje detare në Detin Jon. Në vitin 1995, parlamenti turk do të vendoste që shtrirja e ujërave territoriale greke në Egje me 12 milje do të konsiderohej një shkak për luftë.
“Nëse Athina zbaton këtë zgjerim, Turqia mund ta shohë atë si një shkak për luftë”, shkruhet ndër të tjera.
“Der Spiegel” raporton se për këtë arsye, të dy vendet po fillojnë bisedimet për herë të pare, që nga viti 2016, që të kapërcejnë “pengesat”, të cilat i kanë çuar vazhdimisht në prag të luftës, në të shkuarën.
Ditë më parë, mediat greke janë shprehur se në funksion të betimit të Joe Biden-it, si President i SHBA-së, Turqia duket se po braktis, të paktën për një periudhë afatshkurtër, taktikën e tensionit në Mesdheun Lindor, duke bërë një “kthesë” drejt Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, së fundmi, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Hami Aksoy iu përgjigj me shkrim një pyetje në lidhje me vendimin e Greqisë për rritjen e gjerësisë së ujërave territoriale në detin Jon me 12 milje.
“Vendimi i Greqisë për të rritur ujërat e saj territoriale në detin Jon me 12 milje detare përfundojnë në jug të gadishullit Mora dhe nuk ndikojnë në asnjë mënyrë në Detin Egje”, tha Aksoy.
Duke theksuar se Turqia ka të drejta dhe interesa jetike në detin Egje gjysmë të mbyllur, i cili dominohet nga kushte të veçanta gjeografike, zëdhënësi Aksoy në deklaratën e tij shtoi:
“Qëndrimi ynë që ujërat territoriale në këtë det nuk duhet të zgjerohen në mënyrë të njëanshme, në mënyrë të tillë që të kufizohet liria e lundrimit dhe dalja në det të hapur, si të vendit tonë, ashtu edhe të vendeve të treta është i njohur për të gjithë. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar”.