Padyshim një nga ngjarjet më të rënda që ka tronditur opinionin publik këto ditë ka qenë edhe përdhunimi i 13-vjeçares nga Kavaja nga djem që mësonin bashkë me të. Pikërisht për këtë arsye dhe për rëndësinë që ka kjo ngjarje ka reaguar edhe Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), e cila ka kërkuar me ngulm një hetim të thelluar nga Kuvendi, por edhe nga Prokuroria.
Në një deklaratë të plotë, CRCA Albania thotë se Grupi Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve”, duhet t’i kërkojë me patjetër Kuvendit krijimin e një komisioni hetimor të posaçëm për ngjarjen për të vendosur para përgjegjësisë institucionet shtetërore që nuk kanë vepruar në kohë për rastin në fjalë.
Bëhet fjalë për institucione të tilla si: Zyra Arsimore Kavajë, Komisariati i Policisë Kavajë, Bashkia Kavajë, dhe ky komision hetimor duhet të hetojë nëse ato i kanë ushtruar ose jo detyrat e tyre institucionale, sipas kritereve të Ligjit 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve”.
Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme duhet të hapë një hetim të plotë mbi ngjarjen, për të parë të gjitha veprimet dhe mos-veprimet e institucioneve përkatëse, si dhe duke vlerësuar faktet ajo duhet të marrë në konsideratë nëse janë kryer ose jo vepra të tjera penale si pornografia me fëmijë, etj.
DEKLARATA E PLOTË
Më anë të kësaj deklarate publike, CRCA Shqipëri kërkon të shprehë shqetësimin e saj të thellë për ngjarjen e fundit që ka ndodhur në qytetin e Kavajës, ku një fëmijë-vajzë, 13 vjeç, është bërë viktimë e dhunës seksuale nga një grup adoleshentësh.
Sipas raporteve në mediat e shkruara dhe vizive, të cilat kanë raportuar mbi ngjarjen, rezulton se dhuna seksuale ka qenë e përsëritur dhe ajo ka zgjatur përgjatë një periudhe 2-3 mujore. Po sipas tyre, ngjarja, ndonëse është denoncuar në fillim të muajit Janar 2019, ajo është mbajtur e fshehur nga Shkolla dhe Zyra Arsimore Kavajë, për shkaqe ende të panjohura. Vajza nuk e kishte denoncuar ngjarjen pasi dhunuesit, të gjithë adoleshentë, e kishin kërcënuar me publikimin e një video intime mes saj dhe të dashurit.
Pavarësisht raportimit gjerësisht të ngjarjes në media, ne vërejmë se ka ende mungesë të theksuar të informacionit zyrtar në lidhje me rolin që kanë luajtur ose jo institucionet shtetërore. Ndërkohë deri në momentin e publikimit të kësaj deklarate nuk ka patur asnjë reagim zyrtar nga autoritetet publike, si nga Ministria e Arsimit, ashtu edhe Prokuroria, Policia e Shtetit apo Bashkia Kavajë.
Për këtë arsye CRCA Shqipëri kërkon urgjentisht si më poshtë:
Grupi Parlamentar “Miqtë e Fëmijëve” t’i kërkojë Kuvendit krijimin e një komisioni të posaçëm hetimor për të hetuar të gjitha veprimet ose mos-veprimet e institucioneve shtetërore si: Zyra Arsimore Kavajë, Komisariati i Policisë Kavajë, Bashkia Kavajë, për të parë nëse ato i kanë ushtruar ose jo detyrat e tyre institucionale, sipas kritereve të Ligjit 18/2017 “Për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve”;
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të pezullojnë menjëherë të gjithë zyrtarët arsimorë, të të gjitha niveleve, që kanë patur djeni dhe që nuk kanë reaguar lidhur me ngjarjen në fjalë, dhe denoncimin e tyre pranë organeve të zbatimit të ligjit;
Policia e Shtetit të sqarojë pozicionin e saj në lidhje me ngjarjen, nëse ka patur dijeni dhe nëse po, të jap shpjegime se pse nuk ka reaguar në kohë;
Bashkia Kavajë duhet të marr në mbrojtje të menjëhershme vajzën dhe familjen e saj, duke i ofruar atyre shërbimet e trajtimit të traumës afatshkurtër dhe afatgjatë;
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve duhet të ofrojë shërbim të specializuar dhe mbështetje psiko-sociale edhe për adoleshentët e dyshuar si autorë të kësaj vepre penale. Të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë janë adoleshentë, ndaj pavarësisht rolit, ata kanë nevojë për të marr trajtimin dhe kujdesin e duhur;
Prokuroria e Përgjithshme duhet të hapë një hetim të plotë mbi ngjarjen, për të parë të gjitha veprimet dhe mos-veprimet e institucioneve përkatëse, si dhe duke vlerësuar faktet ajo duhet të marrë në konsideratë nëse janë kryer ose jo vepra të tjera penale si pornografia me fëmijë, etj.
Dhuna seksuale ndaj fëmijëve është e patolerueshme. Krime të tilla trondisin jo vetëm viktimën dhe familjen, por edhe komunitetet ku ata jetojnë. Në këtë aspekt ne nxisim Bashkinë Kavajë dhe Policinë e Shtetit, që të marrin masat më të mundshme për të nxitur një komunikim konstruktiv midis të gjitha familjeve të prekura, duke përdorur edhe masat e drejtësisë rikthyese për të miturit. Nga ana tjetër, ne kërkojmë angazhimin e plotë dhe serioz të të gjithë strukturave shtëtërore për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo lloj forme e dhunës përfshi këtu edhe atë seksuale, për të nxitur raportimin e menjëhershëm të rasteve të tilla pranë numrit falas 116-111 ose pranë Policisë së Shtetit.
Se fundmi, CRCA Shqipëri i bën thirrje të gjitha mediave për të ruajtur konfidencialitetin e vajzës dhe të të gjithë adoleshentëve të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe familjeve të tyre, si një mënyrë për të lehtësuar, aq sa është e mundur, komunikimin dhe ndjesën midis familjeve dhe personave të përfshirë në këtë ngjarje.