Para disa orësh, në aeroportin ndërkombëtar “Leonardo Da Vinci”, skuadrat e Guardia di Finanza të rajonit Scico të Romës dhe të Gico të Reggio Calabria, me mbështetjen e Grupit Fiumicino, përfunduan procedurën e ekstradimit të të dyshuarit Ardjan Çekini. Për të ishte lëshuar një urdhër paraburgimi paraprak nga gjykatësi hetues i gjykatës Reggio, në 5 Dhjetor 2019. Urdhri nuk ishte ekzekutuar pasi ai ishte i pagjurmueshëm jashtë vendit dhe më pas u arrestua në 26 maj 2020, në Shqipëri.
Ardjan Çekini akuzohet për pjesëmarrje në organizatë mafioze të trafikut ndërkombëtar të drogës. Ai u hetua si pjesë e operacionit “Magma”, koordinuar nga Kryeprokurori, Giovanni Bombardieri, Zëvendësprokurori, Gaetano Paci dhe Zëvendësprokurori Francesco Ponzetta, kryer nga sektori Goa i Gico të Guardia di Finanza të Reggio Calabria dhe nga Scico i Romës. Hetimi përfundoi në Nëntor 2019 me ekzekutimin e 45 masave paraprake për organizatën kriminale.
Aktivitetet hetimore bënë të mundur shkatërrimin e plotë të klanit të ‘Ndrangheta” me emrin “Bellocco di Rosarno”, duke arrestuar të gjithë anëtarët më të lartë të familjes, që i përkasin “rrethit Tirren” dhe që veprojnë në Gioia Tauro, Emilia Romagna, Lazio dhe Lombardia. Grupi kriminal, i pajisur me burime shumë të mëdha financiare, në mënyrë që të importojë kokainë, është identifikuar në Amerikën e Jugut, veçanërisht në Argjentinë dhe Kosta Rika. Aty ishin burimet e furnizimit me drogë që do të dërgohej në Itali nga deti, e fshehur në qese speciale brenda kontejnerëve.
Për këto qëllime, anëtarët e klanit “Bellocco” përdorën disa emisarë që bënë disa udhëtime jashtë vendit – në mënyrë që të shikonin drogën dhe të negocionin me përfaqësuesit vendorë për të organizuar importin – dhe, midis tyre, Ardjan Cekini, përgjegjës i “Bellocco” në zonën e Ballkanit, i cili mori pjesë – së bashku me bashkëpunëtorët e tjerë – në organizimin e blerjes në Spanjë të rreth 20 kilogramë kokainë dhe furnizoi organizatën me pajisje për komunikime telematike të koduara.
“Ekstradimi i sotëm vjen në fund të hetimeve intensive të kryera nga bërthama e Reggio Calabria dhe nga Shërbimi Qendror i Hetimit të Krimit të Organizuar të Romës, me mbështetjen vendimtare të Departamentit II të Komandës së Përgjithshme të Korpusit, të Drejtorisë Qendrore të Policisë Kriminale, të udhëhequr nga Prefekti Rizzi, nga Sekretariati i Përgjithshëm i OIPC-Interpol të Lyon dhe i Shërbimit për Bashkëpunim Policor Ndërkombëtar të Departamentit të Sigurisë Publike, me mbështetjen operacionale të Policisë së Shtetit Shqiptar”, njofton Guardia Di Finanza. Nga ky bashkëpunim u arrit të zbulohen 5 të akuzuar të tjerë në tre vende të ndryshme të huaja: Shqipëri, Argjentinë dhe Kosta Rika.
Ardian Çekini dhe dibrani Bujar Sejdinaj u ekstraduan me vendim të gjykatës së Elbasanit dhe besohet se kanë vepruar në të njëjtin grup kriminal, duke u përfshirë në trafikun e kokainës. /Gazetareforma.com/