Presidenti i vendit, Ilir Meta ka dekoruara ditën e sotme me titullin “Mjeshtër i madh”, ish-futbollistin e Tiranës dhe Kombëtares, Shkëlqim Muça. Në një postim në Facebook Meta ka shkruar se Muça është një nga futbollistët më të mëdhenj të kampionatit tonë, i cili ka spikatur edhe me fanellën kuqezi të Shqipërisë.
Ai thotë se asnjë shqiptar nuk mund të harrojë ndeshjen historike Shqipëri-Belgjikë ku kuqezinjtë fituan 2-0 dhe pikërisht Muça kishte një peshë të madhe në sulm.
POSTIMI I METËS
“Për tifozët bardheblu dhe ata kuqezi, por jo vetëm, Shkëlqim Muça është padyshim një nga legjendat e futbollit tonë. Ai hyri me meritë në historinë e sportit shqiptar, si truri, dirigjenti dhe protagonisti i shumë arritjeve të “17 Nëntorit” dhe Ekipeve Kombëtare, duke nisur me suksesin si titullar me “Shpresat” në 1981, si kampionë të Ballkanit, për të vijuar me disa tituj Kampion dhe Kupa Republike me “Tironën vija-vija”.
Jashtëzakonisht i talentuar dhe virtuoz me topin, asistues brilant, i dalluar për fantazinë në fushën e blertë, sulmues befasues dhe gjuajtës rezultativ, Shkëlqim Muça u kthye në burim frymëzimi për gjeneratat e reja të futbollistëve.
Sportdashësit e viteve ’80 e mbajnë mend shumë mirë kur bashkohej në sulm me Mingën dhe Kolën, treshja e papërballueshme për kundërshtarët, që shënoi rreth 400 gola, nga të cilat 87 vetë Muça.
Në vlerësim të talentit, kontributit dhe rezultateve të larta të arritura, si futbollist e si trajner, duke nderuar fanellën bardhë e blu dhe ngritur lart emrin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare sportive, kisha sot kënaqësinë e veçantë të nderoj Shkëlqim Muçën, me Titullin “Mjeshtër i Madh”.