Takimi i 148-të i Bordit Ekzekutiv të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) u mbajt me videokonferencë në Gjenevë të Zvicrës.
Drejtori i OBSH-së, Tedros Ghebreyesus u bëri thirrje të gjitha vendeve që të solidarizohen globalisht për shpërndarjen e barabartë të vaksinave kundër Covid-19 midis të gjitha vendeve.
Duke e quajtur një sukses të madh prodhimin e vaksinave “të sigurta dhe efikase” në më pak se një vit pas fillimit të pandemisë në Wuhan, Kinë, Ghebreyesus tha se “tani po përballemi me rrezikun që vaksinat të bëhen një tullë tjetër e murit të pabarazisë midis të pasurve dhe të varfërve të botës ”.
Ai theksoi se disa vende të pasura u japin përparësi marrëveshjeve dypalëshe me kompanitë që prodhojnë vaksinën dhe se kjo e vë në rrezik programin COVAX që përfshin 190 vende.
“44 marrëveshje të vendeve me të ardhura të larta u nënshkruan me kompani vaksinash në vitin 2020; këtë vit ka 12 marrëveshje bilaterale. Deri më tani, më shumë se 39 milionë doza janë administruar në të paktën 49 vende. Një vend me të ardhura të ulëta ka marrë vetëm 25 doza. Jo 25 milionë, por vetëm 25 vaksina”, vlerësoi ai.
Programi i vaksinave COVAX zhvillohet në koordinim me OBSh-në dhe pranohet si një iniciativë globale e përqendruar në zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e drejtë të vaksinës potenciale Covid-19 midis vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Sipas kreut të OBSH, bota është në prag të një dështimi katastrofik moral. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se është e drejtë që qeveritë t’i japin përparësi vaksinimit të punonjësve të shërbimit shëndetësor dhe njerëzve të moshuar së pari. Nga ana tjetër ai thekson se nuk është e drejtë që të shëndetshmit dhe të rinjtë në vendet e pasura të vaksinohen përpara punonjësve të shërbimit shëndetësor në vendet më të varfra.
“Unë duhet të jem i prerë: bota është në prag të një dështimi katastrofik moral – dhe çmimi i këtij dështimi do të paguhet me jetë në vendet më të varfra të botës,” tha ai. /Gazetareforma.com/