Pak ditë më parë u regjistrua një aksident tragjik në Rubik, ku katër pjesëtarë të familjes Avdiaj, Blerim Avdiaj 50 vjeç, Anjeza Avdiaj 34 vjeçe, Medine Avdiaj 5 vjeç dhe Klejdi Koçi 11 vjeç, ndërruan jetë si pasojë e një parakalimi të gabuar të Blerimit, ndërsa e mbijetuara e vetme e aksidentit është Violeta Avdiaj 3 vjeçe.
Vogëlushja ndodhet në Spitalin e Traumës dhe jashtë rrezikut për jetën edhe pse ka fraktura në dy gjymtyrët e poshtme. Ndërkohë, ditën e sotme vajza e Blerimit nga martesa e parë tha se duan që vajzën e vogël ta marrin në Zvicër, por familjarët e nusës që ndërroi jetë nuk e lëjojnë një gjë të tillë.
Më konkretisht, ajo është shprehur në “Shqipëria Live”:
Ajo është gjaku im. Kemi pas kontakt me familjen e Anjezës, por nuk shkojmë dot ta shohim. Ajo është e sëmurë, ka thyer këmbën. Ne po presin që ajo të shërohet. Nuk na lejojnë. Ajo është e vogël dhe nuk e kupton se çfarë ka ndodhur e po ndodh. Kur ajo të bëhet sa më mirë, ne duam që të ikim që ta marrim. Por nuk mund të shkojmë që tani.
Makina me 5 anëtarët u përplas me një kamion, edhe ky i fundit me targa të Kosovës. Ata banonin në Zvicër dhe kishin ardhur në Shqipëri për pushime.