Gjyqtarja e Elbasanit Enkeleda Kapedani ka urdhëruar prokurorinë që të kryejë hetime të mëtejshme për vrasjen Gentian dhe Nezir Beqirit, në gusht të vitit 2012.
Ndër të tjera kërkohet të merren në pyetje dy policë që kanë qenë me shërbim në ruajtjen e shtëpisë së të vrarëve. Qëllimi i pyetjes së dy policëve, argumenton gjykata, është për të mësuar nëse Ervis Bardhi, hynte dhe dilte në shtëpisë e Gentian Beqirit, që policët kishin marrë në ruajtje për shkak të masës së sigurisë “arrest në shtëpi” që ndodhej viktima. Vendimi gjyqtares lidhet me të dhënat e reja që kanë dalë nga bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi.
Ndërkohë është kërkuar që të merren në pyetje dy anëtarët e fisit Çapja. Gjykatësja ka urdhëruar prokurorinë që të vërtetojë deklaratën e bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Ervis Bardhi dhe rolin në vrasjen e babë e bir, të personit tjetër të arrestuar Etien Cani.
Mes 14 porosive që i ka dhënë prokurorisë, është edhe marrja në pyetje e Ardian Çapja dhe Florenc Çapja.
Po ashtu, do të merret në pyetje edhe motra e Gentian Beqirit.
Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri u qëllua me tre plumba, ndërsa ishte në gjumë dhe babai i tij u rrah barbarisht deri në vdekje.
Për ngjarjen u akuzua Etien Cani dhe Ervis Bardhi, ndërsa mendohet se mund të jetë bërë për llogari të një hakmarrje të fisit të Çapjave.
Vrasja në gusht të 2012, e Gentian dhe Nezir Beqirit, është një ndër dosjet penale më të rëndësishme që kanë në duar prokurorët e Elbasanit, e cila që prej muajit dhjetor 2020, u kthye nga gjykata e këtij qyteti, për plotësim hetimi.
Vendimi penal i marrë nga gjyqtarja Enkeleda Kapedani urdhëron prokurorinë të riçelë sërish hetimet për dosjen në fjalë për një periudhë 4 mujore, duke verifikuar vërtetësinë e thënieve të bashkëpunëtorit të Drejtësisë, Ervis Bardhi dhe rolin në vrasjen e babë e bir, të personit tjetër të arrestuar Etien Cani.
Gjykata ka caktuar plot 14 detyra për prokurorinë, detyra këto që duhet të kryhen brenda një afati 4 mujor. Mes 14 porosive më të rëndësishme që gjykata i cakton organit të prokurorisë, është pyetja e dy emrave mjaft të njohur në kanalet kriminale të qytetit të Elbasanit, si Ardian Çapja dhe Florenc Çapja. Xhaxhai dhe nipi, të konsideruar si liderët e grupit “Çapja”, duhet të pyeten dhe të japin shpjegime mbi rolin dhe pozicionin që ata kanë pasur në ngjarjen e vrasjes brenda në shtëpi, të Gentian dhe Nezir Beqirit.
Sipas vendimit të gjykatës, emri i Ardian Çapjas dhe Florenc Çapjas, ka dalë nga rrëfimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, i cili ka treguar se pikërisht këta dy persona kanë organizuar dhe financuar vrasjen e Gentian Beqirit, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Sokol Çapjes, në muajin dhjetor 2005. Gjykata thotë se këta dy emra duhet të pyeten hollësisht dhe të bëhet ballafaqimi i tyre me Ervis Bardhin dhe Etien Canin.
Një tjetër detyrë e rëndësishme që ka caktuar gjykata e Elbasanit, për prokurorinë është bashkimi në një çështje të vetme, e procedimit nr. 1121 të vitit 2012 ku të pandehur janë Ervis Bardhi dhe Etien Cani me procedimin nr. 1121/2 të vitit 2020, ku persona nën hetim janë Olsi alias Jorgo Leku dhe Klajdi Dokoli, të arrestuar së fundmi nga prokuroria e Elbasanit si të përfshirë në vrasje. Njëherësh në pyetje gjatë kësaj kohe duhet të merret Olsi Leku, si bashkautor në vrasjen e Gentian dhe Nezir Beqirit, ku ai të ballafaqohet me Bardhin dhe Canin. Gjykata në vendimin e saj thotë së duhet të merret në pyetje Klajdi Dokoli, dhe miku i Çapjave të ballafaqohet me Ervis Bardhin dhe Behije Arapin, nënën e Gentian Beqirit.
Një tjetër detyrë shumë e rëndësishme është urdhërimi për kryerjen e hetimeve në lidhje me dy takime sekrete të treguar nga i penduari, Ervis Bardhi, me Olsi Lekun, Etjen Canin,Klajdi Dokolin, Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan, takime këto që janë zhvilluar në Elbasan dhe në zonën e Krrabës.
Po ashtu, gjykata shprehet se prokuroria duhet të verifikojë dhe mbi personat që kanë fshirë numrin e shasisë së automjetit, që Ervis Bardhi dhe Olsi Leku, përdorën për tu larguar pas vrasjes së Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan.
/Gazetareforma.com/