Gjyqtari i Beratit, Kostika Çobanaqi, nuk do të jetë më pjesë e drejtësisë. Ai ka dhënë dorëheqjen nga detyra në dhjetor të vitit 2020 dhe dyshohet se shkaku i dorëheqjes të jetë procesi Vettingut.
Në 12 nëntor të vitit 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), i ka dërguar gjyqtarit dosjen e hetimit. Në një kohë kur KPK priste shpjegimet për të vërtetuar të kundërtën, është informuar se gjyqtari kishte paraqitur pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, kërkesën e tij për dorëheqje, e cila është pranuar.
KPK ka vendosur të përjashtojë gjyqtarin për 15 vjet nga e drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë. Emri i gjyqtarit është përfolur në një dosje të Krimeve të Rënda.
Në vitin 2018, Mati Simoni dhe Gjergji Bumbli, janë dënuar përkatësisht me 6 dhe 8 muaj burgim për akuzën e ndikimit të paligjshëm ndaj gjyqtarit për të favorizuar një të pandehur në gjykim.
Prokurori mori në pyetje për këtë çështje gjyqtarin Çobanaqi, i cili ka thënë se atë vit ka gjykuar rreth 400 çështje dhe se nuk e mbante mend rastin në fjalë.
Kujtojmë se që prej fillimit të procesit të Vettingut, ka patur disa raste ku gjyqtarët, të frikësuar se mund të kapeshin “mat” për shpërdorim detyre apo korrupsion në momentin kur dosjet e hetuara prej tyre të kalonin në sitën e drejtësisë, kanë paraqitur dorëheqjet e tyre në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për tu larguar nga sistemi i drejtësisë./Gazetareforma.com/