Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Rrugën e Kombit, ku një makinë tip “Citroen” me targa të Kosovës, është përplasur fatalisht me një kamion.
Si pasojë, katër persona të një familjeje nga Kosova dyshohet se kanë mbetur të vdekur në këtë aksident tragjik në Rrugën e Kombit.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se familja nga Kosova ishte duke udhëtuar me një makinë tip “Citroen” me targa “C1-351-MH” drejt vendit tonë, në momentin kur është përplasur fatalisht me një kamion. Aksidenti ka ndodhur në aksin Milot-Rrëshen në afërsi të Rubikut.
Viktimat janë burrë e grua dhe dy fëmijët, ndërsa raportohet se një fëmijë tjetër që udhëtonte me ta ndodhet në gjendje të rëndë për jetën dhe është transportuar me urgjencë të spitalin e Rubikut.
Mësohet se viktima në këtë aksident të rëndë kanë mbetur shtetasit A.Avdiaj, 34 vjeçe, B.Avdiaj, rreth 50-vjeç, M.Avdiaj, 5 vjeçe dhe K.Koçi, 11 vjeç. Ndërsa vajza e mitur vetëm 3-vjeçe V.Avdiaj është në gjendje të rëndë në Reanimacionin e Spitalit të Traumës në Tiranë.
Kamioni i përfshirë në aksident, mësohet gjithashtu se drejtohej nga një shqiptar i Kosovës me inicialet I.I, i cili nuk ka pësuar lëndime.
Rrethanat e aksidentit janë ende të paqarta. Forca të shumta të policisë, ambulanca dhe zjarrfikësja mbërritën në vendin e ngjarjes.
Paraprakisht dyshohet se shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e madhe dhe lagështia në rrugë, duke shkaktuar përplasjen tepër të fortë me e veturës me kamionin. Por edhe ndriçimi mungon thuajse plotësisisht përgjatë gjithë aksit rrugor.
Njoftimi i Policisë së Lezhës:
Në aksin rrugor Milot-Morinë, në afërsi të një karburanti në Rreshen, mjeti tip “Citroen” me të cilin udhëtonte një familje kosovare është përplasur me mjetin tip kamion me drejtues shtetasin I.I., banues në Kosovë.
Për pasojë kanë humbur jetën drejtuesi i mjetit tip “Citroen”, bashkëshortja e tij dhe 2 fëmijët dhe është plagosur fëmija i mitur, i cili është transportuar në spitalin e Traumës Tiranë.
Grupi hetimor në vendngjarje punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.
/Gazetareforma.com/