Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas Ballshit ishte në qytetin e Fierit, aty ku zhvilloi takime me qytetarë e përfaqësues të biznesit.
“Do bëhet gjë se vdiqëm”, “Filloni luftën kundër krimit” ishin disa prej ankesave të qytetarëve që u pasuan nga një tregtar i cili tha “Xhiro më ra, jam futur në skemën e TVSH dhe nuk marr asnjë shërbim”.
Pas këtyre, kryedemokrati foli për një qeveri të re që ka një plan serioz ekonomik dhe që hap vende pune.
“Një qeveri që ka një plan ekonomik për të hapur vende pune me paga dinjitoze, me kushte dinjitoze. Ky është prioriteti i PD, ky është prioriteti i grupit tonë parlamentar, ky është prioriteti ynë. Kjo është plotësisht mundur. Kushdo që thotë të kundërtën gënjen dhe i fryn burive të dëshpërimit për hesap të Edi Ramës”- tha ai.
Basha ftoi qytetarët e Fierit, t’i bashkohen protestës së 16 shkurtit për të hedhur në Lanë, armët e fundit me të cilat lufton qeveria Rama, që sipas Bashës janë, dëshpërimi, humbja e shpresës, dyshimi dhe mosbesimi.
“Dëshpërimi, humbja e shpresës, dyshimi, mosbesimi janë armët e fundit të kësaj bande në pushtet, ndaj iu ftoj më 16 shkurt t’ia hedhim në Lanë këto armë që të gjithë së bashku të rindezim motorët e ekonomisë, mirëqenies përmes lirive, mundësive, punësimit që do t’i bëjmë realitet përmes planit tonë ekonomik”- vijoi Basha.