Kryeministri Edi Rama, ka deklaruar se sot është një ditë historike për Shqipërinë kundër pandemisë, pasi fillon vaksinimi. Fillimisht do të vaksinohen kategoritë që janë më të prekura nga covid-19, si personeli mjekësor, policët dhe mosha e tretë.
Në konferencën për media së bashku me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Rama deklaroi se do ta bënte vet i pari vaksinën, për të mbyllur kështu sipas tij njëherë e mirë edhe konspiracionet rreth vaksinës.
“Një nga arsyet pse këto vaksina na u dhuruan, është edhe se unë jam kryeministër. Unë do të jem i pari që do të bëj vaksinën dhe do t’i mbyll këto konspiracionet nga vrima e çelësit.
Po e gjetët një vend që ka një datë të saktë se kur do të mbarojë vaksinimi atëherë hajdeni më pyesni prapë. (drejtuar gazetarëve).
Edhe me strategjinë e vaksinimit, nuk ka, nuk e gjen dot një vend që të ketë ndonjë diferencë nga pikëpamja e konceptimit dhe hartimit të strategjisë kundër virusit.
Dhe ne jemi në një hap me vendet e tjera, jo se jemi më të zotë, por jemi të vëmendshëm, lexojmë shumë dhe analizojmë shumë”, ka thënë para gazetarëve Rama.
Nga ana tjetër, në konferencë foli edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu. Ajo u shpreh para gazetarëve se vaksina është një “game changer”, që duhet të luajë rol kryesor në frenimin e infëektimeve.
“Vaksina “game changer”, duhet të luajë rol kryesor në frenimin e infëektimeve. Ky është qëllimi kryesor, kontrolli i pandemisë.
Kjo është strategjia e katërt në lidhje me vaksinimin, çdo strategji ka ecur sipas parashikimit tonë, duke u konsultuar me planet më të mira të BE-së”, ka deklaruar ministrja e Shëndetësisë./Gazetareforma.com/