Sulmuesi me origjinë shqiptare, Armando Broja duket se po kalon momentin e tij më të mirë në karrierë pas huazimit nga Çelsi tek Vitese në Holandë. 19-vjeçari shqiptar ka shënuar 5 gola, të cilët kanë qenë mjaft vendimtarë për të qenë titullar në ekipin ku luan.
Por një performancë e shkëlqyer është shpërblyer me një vlerë shumë të mirē. Tanimë vlera e lojtarit është rritur nga 1 milionë në 2.2 milionë euro, duke u bërë sulmuesi më i shtrenjtë i Kombëtares Shqiptare. Broja ka dalë nga akademia e Çelsit, dhe tani po mposht konkurencën e emrave të rëndësishëm të përfaqësues sonë si Cikalleshi, Manaj dhe Sadiku.
Pas 4 ndeshjeve mungesë në fundvitin e 2020, sulmuesi shtatlartë luajti 15 minuta ndaj Alkmaar. Viti 2021 pritet të jetë vendimtar, pasi Brojës do t’i duhet të rikthehet në “Stamford Bridge” dhe duhet të bëjë gjithçka për të qenë titullar tek Çelsi.
Pak kohë më parë gjatë një interviste Broja u pyet se çfarë do të bënte, nëse i vjen ftesë nga kombëtarja e Anglisë, Broja iu përgjigj:
“Ende nuk më ka thirrur Anglia, por nëse ndodh, nuk e di çfarë do të bëj. Për momentin po luaj me Shqipërinë, me U-21. Shqiptar e kam gjakun, jam shumë i kënaqur me Shqipërinë dhe shpresoj të më thirrë edhe kombëtarja e parë kuqezi. Babi dhe mami kanë lindur në Shqipëri, janë nga Malësia e Madhe. Unë kam lindur në Angli, por prindërit më kanë lindur në Shqipëri”.