16 prej emigrantëve të ndaluar mbrëmjen e djeshme në grykëderdhjen e Vjosës janë dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës ndërsa 14 të tjerë u nisën drejt QSUT-së, mes tyre dhe fëmijë nën moshën 10-vjeçare. Mësohet se ata kanë pësuar djegie në trup. 12 prej pacientëve të dërguar në Tiranë janë shtruar ku 4 prej tyre janë në reanimacion ndërsa 8 të tjerë të shtruar në pavion.
Mbrëmjen e kaluar 50 klandestinë kanë rrezikuar të mbyten pasi mjeti ujor i tyre ka pësuar avari. Kanë qenë emigrantët të cilët kanë marrë sallën operative duke kërkuar ndihmë dhe menjëherë në ndihmë të tyre kanë shkuar Roja bregdetare, policia e shtetit dhe Guardia di Finanza.
Ndërsa mjeti lundrues i tipit gomone mbeti në grykëderdhjen të Vjosës për rreth 3 orë për shkak të erërave të forta në drejtim jug- perëndim. Një sirian i cili po shoqëronte të motrën tha se ishte në gomone sëbashku me dy motrat dhe nipin 7-vjeçar.
Me vështirësi emigrantët janë arritur të shpëtohen të gjithë dhe të hipën në mjetin e Rojës Bregdetare dhe janë transportuar për në portin e Vlorës.
9 burra dhe gra u nisën drejt Spitalit të Traumës, mes tyre tre fëmijë nën moshën 10-vjeçare.
Disa paraqesin djegie për shkak të benzinës në trupin e tyre sepse në dëshminë e dhënë kanë treguar se kanë qëndruar mbi 3 orë në det dhe benzina që gjendej në bidona derdhej herë pas herë si pasojë e dallgëve. Policia krehu zonën në kërkim të trafikantëve por asnjë prej tyre nuk është arritur dot të kapet. Vet ata janë shprehur se destinacion kanë pasur Italinë dhe se shuma që është paguar është rreth 2000 euro.
Pjesa tjetër e tyre gjenden në korridoret e Drejtorisë Vendore të policisë. Mbrëmjen e djeshme, policia njoftoi në komunikatën e saj për shtyp për kapjen e rreth 50 klandestinëve, megjithatë salla operative u njoftua për një mjet lundrues me shtetas të huaj në bord që kërkoi ndihmë për shpëtim pasi gjendej në grykëderdhjen të Vjosës në rrezik për tu mbytur. Gomonia e përmasave të mëdha është dëmtuar dhe mbytur pjesërisht.
Në tokë aksioni për krehjen e territorit dështoi, ndërsa policia nuk arriti të zbardhë dhe ndaloj shqiptarët e përfshirë në trafik. Burime jozyrtare konfirmojnë ndalimin e dy personave të dyshuar si të përfshirë.
Një prej sirianëve të kapur mbrëmjen e djeshme ka treguar se destinacioni i tyre ishte kalimi drejt Italisë e më pas në vendet e Europës. Ai tregon se kanë qëndruar për 3 orë në det të hapur.
“Kam ardhur me motrën dhe djalin e saj. Jemi shumë të frikësuar. Kemi qëndruar 3 ditë. Donim të iknim në Europë. Paratë i ka paguar im vëlla, nuk e di sa lek ka paguar, ne donim të shkonim në Itali ….në Europë , kudoqoftë. Kemi qëndruar për rreth 3 orë në det” – thotë siriani.