Skip to content
Të Gjitha

Incidente në ndeshjen Flamurtari-Kukësi/ Vlonjatët shajnë në kor trajnerin e kundërshtarit

· 2 min lexim

Problemet e tifozëve në futbollin shqiptar janë duke u kthyer në problem serioz. E njëjta gjë është vënë re edhe ditën e sotme në ndeshjen mes Flamurtarit dhe Kukësit, e cila luhej në Vlorë, ku tifozët vlonjat kanë degraduar situatën.

Ndeshja e përfunduar 2-1 në favor të Kukësit ka inatosur tifozët vlonjat, të cilët kanë shpërthyer në fyerje dhe sharje.

Vlonjatëve u është mohuar një gol i çuditshëm në minutën e ’42, kur Pollozhani gjuan me roveshatë brenda zonës dhe arbitri e quan gol të parregullt.

Anulimi i këtij goli ka  bërë që në stadium të vijojnë fyerjet dhe hedhjet e sendeve në fushë.

Mirëpo episodi më i pakëndshëm ka ndodhur pas përfundimit të lojës. Gjatë kohës që Presidenti i ekipit të Flamurtarit, Sinan Idrizi, po bëhej gati të jepte intervistën e pasndeshjes në vend të trajnerit Daja, një grup tifozësh vlonjatë janë përqendruar në derën e stadiumit ku janë konfliktuar me trajnerin e Kukësit, Armand Cungu.

Ata kanë nisur të fyejnë në kor trajnerin kundërshtar, çka ka bërë që Presidenti Idrizi të lerë në mes prononcimin dhe të drejtohet drejt grupit të tifozëve, duke u kërkuar që të qetësohen dhe të tregojnë qytetari, pasi mund të dëmtohet ekipi.