Skip to content
Të Gjitha

Festohet Dita e Ujit të Bekuar, pandemia anulon hedhjen së kryqit në ujë

· 2 min lexim
Kisha Ortodokse ka organizuar sot Shërbesën e Mëngjesores dhe Liturgjinë (Meshës) Hyjnore, drejtpërdrejt nga katedralja ”Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Por Kremtja e Theofanisë (Pagëzimi i Jesu Krishtit) në mbarë vendin nuk do të jetë e plotë sepse ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë është anuluar për shkak të pandemisë.

Data 6 janar, simbolizon ditën kur Jezusi u pagëzua, në ujërat e lumit “Jordan” nga Gjon Pagëzori. E kthyer në traditë nga besimtarët ortodoksë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, shumë të rinj sfidojnë të ftohtin dhe temperaturat e larta duke u hedhur në liqen apo lumenj, për të kapur kryqin.

Por ndryshe nga vitet e tjera mesa duket kjo traditë do të zhvillohet ndryshe për shkak të pandemisë.

Në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë u krye vetëm rituali i bekimit të ujit, një simbolikë e pastërtisë, jetës dhe shpëtimit për besimtarët e krishterë ortodoksë. Këta të fundit marrin në bidonë ujin e bekuar dhe e çojnë në shtëpitë e tyre pasi besojnë se ka veti shëruese dhe duhet konsumuar kur këta të fundit kanë probleme shëndetësore

Ndërkaq, në qytetin e Durrësit, Kisha Ortodokse, ka anulluar organizimin e ceremonisë të hedhjes së kryqit në ujë e cila zakonisht zhvillohej në ambjentet e portit.

Drejtuesit e Kishës Ortodokse, kanë njoftuar vetëm për një ceremoni meshe që do të mbahet në Kishen e Shën Astit, dhe Shën Pavlit.

Ka munguar rituali i Epifanisë (hedhjes së kryqit në ujë), ku vitet e kaluara me dhjetëra të rinj sfidonin temperaturat e ulëta për të kapur kryqin e bekuar, ndërkohë këtë vit nuk është zhvilluar për shkak të masave parandaluese anticovid në vendin tonë.