“Vajzën time mund ta kenë rrëmbyer. Ajo nuk ikën nga stëpia se është e sëmurë më astmë”, deklaron nëna e Kejsi Ahmetajt, Aida. Ajo ka bërë apel që ta ndihmojnë të gjejnë vajzën dhe të njoftojnë policinë. Ajo ka hedhur dyshime se ajo mund të jetë gënjyer dhe rrëmbyer me qëllim trafikimin. Në një lidhje telefonike për emisionin “Pa Gjurmë”, nëna e Kejsit Ahmetaj, me lot në sy, kërkon që kushdo që ka dijeni për vendndodhjen e tyre apo që i ka parë të lajmërojnë policinë. Ajo gjithashtu shprehet se edhe nëse vajza mund të jetë larguar vetë nga banesa të hap telefonin dhe t’u thotë të paktën prindërve që është gjallë. Nëna shprehet se Kejsi është e sëmurë dhe prej 4 ditësh nuk ka marrë mjekimet e saj për astmën.
“Vajza ime nuk ikën nga shtëpia. Dyshoj se mund të jetë rrëmbyer dhe trafikuar. Në këto momente ku nuk të shkon mendja. Ju lutem kujtdo që mund t’i ketë parë të na lajmërojë ne ose policinë, më ndihmoni të gjej vajzën. Nga kontrollet që kemi bërë në banesë kemi vënë re se mungon karta e identitetit. Kam frikë se e kanë gënjyer bashkë me shoqen dhe mund t’i kenë trafikuar. Ata ishin shoqe që nga 9-vjeçarja dhe shtëpitë tona nuk janë larg. I bëj thirrje kujtdo të më ndihmojë ta gjejë. I bëj thirrje dhe Kejsit që nëse më dëgjon të lutem të hapë telefonin dhe të më thotë se është gjallë. Ajo është e sëmurë me astmë, dhe që prej 1 janarit nuk i ka marrë mjekimet e saj”, thotë me lot në sy nëna.
Dy vajza të mitura janë larguar nga banesat e tyre më 1 janar dhe nuk janë kthyer më. Vajzat Mojna Hajdaraj dhe Kejsi Ahmetaj, të moshës 16-vjeçare, shoqe me njëra-tjetrën, janë larguar nga banesat e tyre dhe deri tani nuk ka asnjë gjurmë nga ato.
Të miturat kanë lajmëruar prindërit se do të shkonin në banesën respektive të njëra-tjetrës për të uruar Vitin e Ri, por nuk ka ndodhur dhe kjo ka qenë dhe biseda e fundit me të miturat, pasi telefoni i tyre rezulton i fikur.