Përcillet aktori dhe regjisori i njohur, Dhimitër Orgocka, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Korçës, Zamira Kita, i dha lamtumirën e fundit mes lotësh kolegut të saj.
Kita tha se kjo është një ditë shumë e dhimbshme për Korçën, por edhe për gjithë Shqipërinë, pasi ka humbur një nga emblemat e artit.
“Është një ditë shumë e dhimbshme për Korcën, pasi kemi humbur një nga emblemat më të mëdha të artit. Kemi dhimbje të gjithë, e gjithë Shqipëria. Ai është heroi i të gjitha veprave që ka vënë në skenë. Ne do ta kemi si një amanet ta cojmë më tej dramaturgjinë, që ai e donte shumë. Teatri e ka një ikonë, do ta ketë një emblemë. Ai ka një vend të rëndësishëm në teatër, në zemrat e njerëzve. Lamtumirë i dashur koleg!”, tha Zamira Kita.
Regjisori u shtrua pardje në spital, ndërsa shkak për vdekjen e tij është bërë një hemorragji cerebrale.
Dhimitër Orgocka ishte nderuar edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, ndërkohë që numëron 82 role të interpretuara në skenat e teatrove shqiptare, ku ka marrë edhe çmime, si dhe ka vënë në skenë 104 premiera në teatër si regjisor.
/Gazetareforma.com/