Trafiku në Tiranë ka rreth 7 muaj që është në gjendjen e sotme, ndërsa festat e fundvitit shërbejnë vetëm për ta sjellë në vëmendjen e mediave. Për më tepër, përgjegjësit e këtij trafiku kanë emra konkretë.
Trafiku me syrin e medias
Trafiku me syrin e medias është një pamje me dron që tërheq, një foto që shet, një titull që klikohet, por më shumë se kaq nuk guxojnë të thonë. “Festat e fundvitit, trafiku ‘pushton’ Tiranën! Radhë…”, “Trafiku i rënduar në Tiranë për festat e fundvitit”, “Paralizohet Tirana, festat e fundvitit rëndojnë trafikun”, “Pamje me dron…”, këto janë tipet e titujve me të cilët pasqyrohet situata e trafikut në kryeqytet këtë fundviti.
Nën ndikimin e zyrave të shtypit, mediat e paraqesin këtë trafik të çmendur, si një fenomen të fundvitit. Lënë të kuptohet se fajin e kanë vetë njerëzit që lëvizin për festat. E vërteta është ndryshe. Ky trafik dhe kjo çmenduri ka afro shtatë muaj që vazhdon dhe ka përgjegjës konkretë, jo Babagjyshin e Vitit të ri që pritet të vijë dhe paska shkaktuar rrëmujë.
Situata e trafikut
Të hysh në Tiranë është një sfidë më vete. 1 km përshkohet mesatarisht për 30 minuta. Të dalësh apo hysh në kryeqytet është kthyer prej muajsh në një sfidë teksa endesh si në një labirint. Fluksi më i madh shfaqet në rrethrrotullimin e ish-Sheshit “Shqiponja” aty ku njëkohësisht kryhen edhe punime.
Aksi dytësor i rrugës industriale që lidh Tiranën me tregjet, ku fluksi i blerjeve në fundvit është shtuar ka edhe trafikun më të rënduar.
Gjatë ditës e pasdites trafiku bëhet edhe më i rënduar përgjatë Rrugës së Elbasanit, 21 Dhjetorit, Pallati me shigjeta për dalje drejt kombinatit dhe ish-stacioni i trenit.
Autorët e trafikut
Përgjegjësia kryesore për trafikun është e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, që e ka kthyer kryeqytetin në një qytet ku mund të ecësh vetëm me betoniere ose me biçikletë. Njerëzit janë të detyruar të nxjerrin makinat për të mbaruar një punë, sepse nuk mund të përdorin transportin urban. Gjithsej janë 15 linja në kryeqytet të cilat nuk kanë urbanë të mjaftueshëm për të përballuar lëvizjet e banorëve. Asnjë nga këta urbanë nuk respekton kohën e mbërritjes në stacion, lëvizin si breshkat dhe nuk respektojnë protokollin të Ministrisë së Shëndetësisë për parandalimin e përhapjes së Covid 19. Biletat kushtojnë 40 lekë, dhuratë nga krybashkiaku Veliaj, me kushtin që këta të plotësonin kushtet e licencës. Këta sipërmarrës janë klientë të Veliajt dhe nuk pyesin për asnjë rregull.
Veliaj përpiqet ta kufizojë “shkakun” e bllokimit të trafikut me punimet tek rrethrrotulimi “Shqiponja”. Në fakt ai është përgjegjës për hapjen e kantiereve pa plan brenda unazës së vogël të kryeqytetit. Rrotull sheshit Skënderbej ndërtohen 4 qiellgërvishtës që e bllokojnë trafikun me betonieret e tyre të stërmëdha. Veliaj duhet të pezullonte punimet e tyre deri sa të mbaronte ripndërtimet që kishte nisur në rrugët e tjera si ajo “Durrësit” dhe “Mine Peza”, ku vazhdohet të punohet akoma. Pa pyetur për trafikun, e ka kthyer me një kalim rrugën e Durrësit, të vetmen hyrëse në perëndim të Sheshit Skënderbej. Nëse do të ishin pyetur banorët dhe bizneset, ato do ta kishin kundërshtuar këtë zgjidhje absurde, që shërben vetëm për të shtuar disa metra më shumë korsi biçikletash.
Veliaj është përgjegjës për trafikun sepse nuk plotëson me sinjalistikë asnjë prej rrugëve që i ka shqepur dhe nuk i mbaron kurrë. I vetmi përfitues i trafikut të bllokuar nga Veliaj është miku i tij, “Grupi Kastrati” që shet më shumë naftë kur ka trafik. Të dëmtuarit janë qytetarët e Tiranës që marrin më shumë gazra në mushkri.
Përgjegjës për trafikun janë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe drejtori i Autoritetit Rrugor, Ergys Verdho. Sipas angazhimit të bërë, kur prezantuan fillimin e ndërtimit të rrethrrotullimit Shqiponja, do ta përfundonin këtë vepër për disa muaj. Në tetor 2020, Balluku doli sërish në ekran dhe tha se punimet do të mbylleshin për 4 muaj, duke e shtyrë afatin, që ishte për në Vitin e Ri.
Balluku mban përgjegjësi se e hapi kantierin në hyrje të Tiranës pa rindërtuar rrugën e Ndroqit, e cila është e pakalueshme për makinat. Tani qytetarët kanë vetëm një mundësi të hyjnë në Tiranë, Rrugën e Elbasanit, ose mund të humbin në labirinthin që ka ndërtuar Veliaj dhe Balluku.
Përgjegjës për trafikun është Rebani Jaupi, drejtor i Policisë Tiranë, i cili bashkë me Drejtorin Verdho prezantuan një plan të menaxhimit të trafikut në rrethrrotullimin Shqiponja. Përse nuk e menaxhojnë trafikun këta dy drejtorë, ashtu siç e shfaqën në një video dhe i udhëzuan qytetarët se ku duhet të kalojnë?
Këto janë problemet që na kanë zënë rrugën ku nuk mund të lëvizim të lirë, as në këto ditë festash.
/Iconstyle.al/