Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, me anë të një letre zyrtare u është drejtuar partive politike me një kërkesë për të marrë propozime lidhur me zonat zgjedhore, ku edhe do të instalohet votimi dhe numërimi elektronik.
Bëhet me dije se në letrën zyrtare që u është dërguar 8 partive, parashikohet që projekti pilot për teknologjinë në zgjedhje të zbatohet në 20% të zonave elektorale.
Mirëpo për këtë çështje duhet konsensusi mes të gjithë palëve.
“Përpara se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të marrë vendimet përkatëse, lutemi të na bëni me dije nëse keni sugjerime apo mendimet tuaja në lidhje me zonat se ku mendoni të aplikohen projektet pilote në këto zgjedhje, në parashikim të dispozitave ligjore më sipërcituar”, ka shkruar kryekomisioneri Ilirjan Celibashi.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama, gjatë një konference për shtyp disa ditë më parë, u shpreh se qeveria e kishte akorduar fondin për teknologjinë në zgjedhje në buxhetin për vitin 2021.
Teknologjia ishte një prej diskutimeve kyçe mes palëve të Këshillit Politik në kuadër të marrëveshjes së 5 Qershorit.
Në tavolinën e Këshillit Politik ishin përfaqësues të mazhorancës, opozitës jashtëparlamentare dhe asaj parlamentare. Partinë Socialiste e përfaqësonte Damian Gjiknuri, Partinë Demokratike Oerd Bulukbashi, LSI-në, Petrit Vasili dhe opozitën parlamentare deputetja Rudina Hajdari. /Gazetareforma.com/